Shqiptari më i kërkuar nga Amerikanët që fliste shum gjuhë

Në vitet ’20 në Shqipëri do të vinte një mision amerikan që do të angazhohej për të kapërcyer pasojat e Luftës së Parë Botërore. Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan do të ofronin strehim, ushqim, vizita mjekësore e arsimim për popullatën shqiptare.

Shqiptari i shumëkërkuar nga misionarët amerikanë në vitet ’20: Ai është një xhevahir; flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur! Në misionin e tyre, ata do të asistoheshin nga shqiptarë të ndryshëm, të cilët do të ofronin shërbimet e tyre për sigurinë fizike, transportin, përkthimin etj. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, misionarët amerikanë do të dokumentonin me foto punën e tyre e do të jepnin përshtypjet e tyre për vendin.

Aftësitë gjuhësore të shqiptarëve e sjellja e tyre do t’i impresiononte misionarët e huaj e për këtë qëllim ata do të bënin vlerësime pozitive. Në listën e personazheve që misionarët i kanë cilësuar si të jashtëzakonshëm ishin edhe dy përkthyes. Në arkivin e Librarisë së Kongresit Amerikan gjendet fotoja e përkthyesit kryesor që quhej Kolë.

Ai konsiderohej nga misionarët amerikanë si një burrë i ndershëm e i besueshëm. Kola kishte punuar për 30 vite në konsullatën e Francës në Shkodër, ndërsa në vitin 1920 i ishte bashkuar misionit të Kryqit të Kuq si përkthyes dhe si mesazher konfidencial. “Të gjithë punonjësit e misionit amerikanë shprehen se ai është një “xhevahir” dhe ky është një kompliment i madh për një burrë, që i vjen “doresh”,- shkruhet në diçiturën që shoqëron foton.

Reputacioni i tij do të dilte edhe jashtë vendit, ku gazeta amerikane do të shkruanin për aftësitë e shqiptarit që fliste 18 gjuhë të ndryshme “në mënyrë të mençur”.

Artikulli i gazetës amerikane do të evidentonte faktin se Kola, me aftësitë e tij komunikative, arrinte të ishte ndërmjetës mes fiseve shqiptare të përfshira në konflikte të ndryshme të armatosura. “Kola, përkthyesi kryesor i përfaqësuesve të misionit të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri ka te vendasit reputacionin e “gjuhës më të mençur” në Shqipëri.

Ai thuhet se flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur. Kjo është diçka e pazakontë në Shqipëri. Kjo nënkupton se ai është i aftë të flasë me secilin prej fiseve të shumta të vendit, pa thënë ndonjë fjalë që mund të lerë mundësinë e keqkuptimin sikur po mban anë në përplasjet, që kanë palët mes tyre.

Ai ka qenë një faktor i rëndësishëm për të mbajtur jashtë sherreve e grindjeve, misionin amerikan, që shpërndan ndihma. Kola është një nga ata pak banorë të Tiranës që nuk mban me vete armë zjarri,- shkruhet në artikullin e gazetës së Minnesotas së datës 3 maj 1920.

Një personazh tjetër i jashtëzakonshëm për aftësitë komunikative që evidentohet në arkivën e misionit amerikan është edhe një djalë i vogël, që fliste 5 gjuhë të ndryshme. Në diçiturën që shoqëron foton, djali nga Tirana cilësohet si një “talent i ri dhe premtues” në fushën e gjuhësisë.

“Ky djalë shqiptar flet 5 gjuhë të ndryshme. Ai është punësuar nga misionarët amerikanë si përkthyes dhe mesazher. Ky djalë nuk ka shkuar kurrë në shkollë, por i është dhënë mësim nga babai i tij, prefekti i Tiranës, i cili është diplomuar në Kolegjin Amerikan të Kostandinopojës”, është diçitura që shoqëron foton e djaloshit.

Top Img back to top