Shqiptarja Mira Murati, një nga gratë më me ndikim në botë

Gazeta prestigjioze franceze “El Pais” i ka dedikuar një artikull të veçantë inxhinieres shqiptare Mira Murati, e cila pak javë më parë u përzgjodh nga Financial Times si një nga 25 gratë më të fuqishme në botë.

El Pais përshkruan në këtë artikull rrugëtimin dhe suksesin e pakrahasueshëm të Muratit në sektorin e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, transmeton Telegrafi.

Inxhinierja shqiptare e cila është shefe e teknologjisë në kompaninë OpenAI, cilësohet nga gazeta franceze si një nga gratë e pakta që posedon këtë pushtet që dominohet tradicionalisht nga burrat.

Murati nga Vlora e Shqipërisë ka qenë një nga akterët kryesorë në OpenAI, një kompani që pak kush dinte për të një vit më parë, dhe sot vendos ritmin në industrinë e AI-s, shkruan El Pais.

Si shefe e teknologjisë, Murati ka mbikëqyrur ekipin që ka zhvilluar chatbotin ChatGPT, aplikacionin më të suksesshëm në histori si dhe mjetin për gjenerimin e imazheve DALL-E.

Emri i saj, sipas gazetës, ishte i pari që ishte konsideruar për të zëvendësuar Sam Altmanin në pozitën e CEO-s kur bordi e shkarkoi atë tre javë më parë, i cili u kthye përsëri pas një drame disa ditore.

Murati ishte një nga katër personat që themeluan kompaninë OpenAI, përfshirë Altmamin, Ilya Sutskever, dhe Greg Brockman.

Ajo kishte qëndruar për pak kohë në pozitën e CEO-s në OpenAI, ndonëse ishte pjesë e iniciativës për rikthimin ish-shefit të saj.

Hapesire e Sponsorizuar

Ekzekutivja me origjinë shqiptare ka një diplomë në Inxhinierinë Mekanike nga Kolegji Dartmouth, universiteti amerikan ku lindi disiplina e AI-s.

Para se të vinte në OpenAI, ajo ishte një analiste në Goldman Sachs, një inxhiniere në kompaninë franceze të hapësirës ajrore “Zodiac Aerospace”, një menaxhere produkti në Tesla, ku mbikëqyrte automjetin Model X dhe zëvendëspresidente e produktit në Leap Motion, një kompani e realitetit virtual.

Në vitin 2018, ajo bëri hapin drejt OpenAI sepse njohuritë e saj për AI e bënë atë të mendonte se inteligjenca e përgjithshme artificiale (që tejkalon aftësitë njerëzore), ishte afër të bëhej realitet.

Ajo donte të ishte pjesë e zhvillimit të saj, pati thënë në një intervistë të publikuar nga Wired./Konica