Si e bindi gazetari shqiptaro-italian, këngëtarin Toto Kutunjo, që të vinte në Tiranë në ’95

UVIL ZAJMI/ Ka qenë fundi i viti 1995, i ftuar në një veprimtari artistike të kohës, do të zbriste për herë të parë në kryeqyteti shqiptar, këngëtari i njohur Toto Kutunjo, i admiruar, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën, padyshim edhe në vendin tonë, për brezat, fansat e shumtë të tij.

Ka qenë fundi i viti 1995, i ftuar në një veprimtari artistike të kohës, do të zbriste për herë të parë në kryeqyteti shqiptar, këngëtari i njohur Toto Kutunjo, i admiruar jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën, padyshim edhe në vendin tonë, për brezat, fansat e shumtë të tij. Në një mjedis artistik të Pallatit të Kongreseve, atë mbrëmje spektatorët kanë dëgjuar nga afër muzikën melodioze, tingujt, tekstet, e disa nga këngët e repertorit të tij që kanë shkruar historinë e muzikës së lehtë italiane.

Por ajo ngjarje ka një protagonist absolut, një italo-shqiptar më shumë se kushdo tjetër, Mimo Xhianfreda, si njeriu që realizoi ardhjen e fituesit të Sanremove, te Festivalit Europian dhe për gazetën “Panorama”, duke iu rikthyer atij momenti, Mimo tregon si e bindi kantautorin të merrte avionin drejt Rinasit:

“Toto, të ftoj te ‘Çmimi Volare’, shqiptarët të mirëpresin, i thashë”. Pastaj surpriza që Kutunjo kishte rezervuar publikut të pranishëm në atë shfaqje, polemikat me TVSH-në dhe largimi tejet i dëshpëruar për atë që humbi.

“Ishin disa nga ata që e shoqëruan qëndrimin prej 24 orësh të tij në Tiranë”, – shprehet Xhianfreda. Ndonëse më shumë se 30 vite që jeton, banon, punon në Shqipëri, njohës i artit, kulturës, i jetës së përditshme, mosha nuk shfaqet aspak tek ai.

Energjik, artist në shpirt, muzikant, i gatshëm, ashtu ka mbetur Mimo, siç e kam njohur në kontaktin e parë kur ka ardhur në Tiranë, pas 1990- ës. Një personazh i veçantë ka qenë mbetet. Aq më shumë me shqipen që e flet, i veçantë edhe në këtë drejtim.

Z. Mimo, kur janë kontaktet e para tuaja me Shqipërinë?

Hapesire e Sponsorizuar

Me shqiptarët u lidha në mars të ’91-shit. Si gazetar ndodhesha në portin e Brindizit, duke pritur zbarkimin e emigrantëve në atë eksod. Realizova një reportazh të mirë për “Rai 3” të Puljas, “Telenorbën”. Pas kësaj, në redaksi vjen një ftesë nga ambasadori shqiptar në Itali, Kopliku, nëse nuk gaboj, që më uron për dokumentarin dhe më ftonte në Romë. Shkova në ambasadë, ku fatmirësisht takova Vera Grabockën dhe Valbona Selimllarin.

Ardhja juaj e parë në Shqipëri, nuk ka Tiranën, por një qytet tjetër, pse?

Ka qenë fundi i vitit 1992, erdha të bëja një reportazh në Shkodër, Tiranë meqë në Shqipëri, në prill të ’93-shit do të vinte Papa Gjon Pali II. Në traget njoha Anxhelo Masafrën, asokohe prift, sot Arqipeshkop në Shkodër. Bashkë me të shkuam në Shkodër, filmova rikonstruksionin e ish-pallatit të sportit, të rikthyer sërish në kishë. Kjo është hera e parë e imja në Shqipëri. Unë isha menaxher, kisha teatrin tim në Celo Mesapica.

Ka një ngjarje, që ju befason në atë udhëtim?

Në kthim ndalova në Lezhë. Isha me makinën time, një “Fiat” të vjetër 127. Qëndrova te posta e qytetit, ku do të flisja në telefon, por kur dola ma kishin vjedhur. Për fat, mbaja numrin e Vera Grabockës, “jam Mimo, ndodhem në Lezhë, më kanë vjedhur makinën e informoj”. “Prit aty, do të dërgoj një furgon nga televizioni më thotë”. Shkova në Laç të shihja Kishën e Shën Ndoit, pastaj erdha në Tiranë. Makinën e vjedhur nuk e denoncova aty, por pak më vonë, rëndësi kishte kamera që e pata me vete dhe munda ta shpëtoj. Ndërkohë, filmimet për Papën e dërgova të gjitha në Itali.

Një takim që hap perspektivat për një bashkëpunim të gjatë si menaxher

Më sistemuan për pak ditë në një shtëpi afër stadiumit “Qemal Stafa”, në apartamentin e një muzikanti. Takohem me Verën te “Bar Uest”, përballë Piramidës. Në bisedë e sipër, si menaxher që je Mimo, po munde na ndihmo, se do të filloj një emision “Reth fatit për 12 javë”, dhe me njohjet që ke, na sill ndonjë këngëtar, artist italian. Shfaqjen e prezantonte Adi Krasta, zhvillohej në Teatrin e Operës e Baletit. Solla gruan e Pipo Frankos, Lura Troskel, me të edhe Piera Basino, aktore, këngëtare e njohur. Po në atë program ka ardhur edhe Piero Badaloni, gazetari i njohur i “Rai 1”.

Mimo, një komisar si Katani shfaqet në qendër të kryeqytetit?

Bëhet fjalë për Mikele Placidon. Ka qenë nëntor i vitit 1993, i zgjedhur si aktor në filmin e Amelios “L’Amerika”. I njohur sidomos me filmin “Oktapodi”, në rolin e komisar Katanit, por edhe si i pranishëm në “Mis Albania” pak kohë më parë. Ardhja e tij përbënte një ngjarje e madhe për kohën. Si puljez, kam qëndruar disa ditë me të. Nuk e dija që diçka e lidhte Placidon me Shqipërinë, kur ai shprehej se “një gjyshe të tijën e kishte me origjinë nga Shqipëria”. Kujtoj se xhirimet e filmit “L’Amerika”, një produksion e familjes Ceçhi Gori Group u realizuan në qendër të Tiranës. Ato nisën herët në mëngjes dhe për disa orë vazhdonin aty, në një shesh të rrethuar.

I vjen radha edhe një ndeshjeje futbolli, me ju promotor…

Në planet e mia ishte të organizoja edhe një ndeshje futbolli me femra. Takova Ardit Gjebrean, Pandi Laçon, Ferdinand Radin dhe u propozoj pse të mos të bëjmë edhe një ndeshje me femra, një takim për miqësinë Shqipëri-Itali. Shkova në Itali, takova drejtuesit e sektorit të futbollit të femrave. Ishin dakord. Kështu u projektua ai takim. Me shumën e biletave të siguruara nga njerëzit që do të vinin, sigurisht bileta me çmime modeste, fitimet do të jepeshin për bamirësi.

Aktorë, tifozë, por edhe një ambasador në mesfushë…

Ka qenë maj 1994, ajo u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në mesdite. Të pranishëm ishin shumë njerëz në stadium. Përballë ekipi kombëtar i femrave të Italisë, si shqiptarë përbëhej nga artistë të njohur dhe kapiten ishte Met Bega, ndërsa trajner Bujar Kapexhiu. Edhe tre arbitrat për atë takim ishin zgjedhur nga më të mirët. Ambasadori Foresti ishte ai që në mesfushë shkelmoi topin e parë. Rezultatin përfundimtar nuk e mbaj mend. Por, u argëtuan të gjithë.

Hapni një “Expo”, e para në Tiranë

Ka qenë fundi i korrikut 1994 kur në Tiranë mora më qira më pak lekë një mjedis te Piramida, ku para publikut do të hapja “Expo Tirana”, e para dhe më i madhja pas komunizmit, me 29 stenda, që u konsiderua një fytyrë tjetër e Shqipërisë. Me qëllimin dhe si një mënyrë për të takuar në Tiranë, biznesmenë, prodhues, një formulë origjinale e ngjashme si organizohej edhe në Itali, “Fiera del Levante”. Pra, një vitrinë tregtare që mund të shërbente si një trampolinë për mjaft ndërmarrje private. Dhe ideatori isha unë. Brenda saj organizova aktivitete muzikor me Fatos Qerimin. Ishte vetë Sali Kelmendi, Kretar Bashkie asokohe kur e inauguruam.

Lind ideja për një koncert të madh

Jetoja në Tiranë, por ajo është një periudhë intensive për mua, shkoja vija në Itali, si gazetar, por edhe si menaxher teatri, arti. Ndërkohë më vjen ideja të organizoja për herë të parë në Shqipëri një festival, “Çmimi Volare”. E mendova pikërisht me emrin e këngës së njohur të Domenico Modunjos, autori i të famshmes “Nel blu dipinto di blu”, siç edhe njihet këndohet edhe sot në të gjithë botën. Një festival, me qëllimin që këngëtarët shqiptarët të ekzekutonin kompozimet, këngët më të mira, duke marrë “Çmimin Volare”, si një mundësi më shumë për të hapur rrugën edhe në Itali.

Edicioni i parë, debutimi “Volare-s” tërheq vëmendjen…

Sigurisht që vështirësitë ishin të mëdha. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ai do të konsiderohej një manifestim muzikor, prandaj u mendua të zhvillohej në sheshin kryesor, para Muzeut Kombëtar, të dielën më 9 tetor ’94, ora 18:00. Ishte parashikuar që në skenë do të dilte korime drejtuese Suzana Turkun, trupa e baleti dhe orkestra e TOB me dirigjent Bujar Llapraj.

Jemi në situatën e një epidemie, pati vështirësi?

Po, është e vërtetë. Kolera kishte rënë në Pulja dhe në Shqipëri, rastet po shtoheshin dita-ditës. Por, u kalua kjo pengesë falë ndërhyrjeve, nuk pati izolim, edhe pse frika ishte.

Mbërrijnë të ftuarit, muzikantë të njohur italianë…

Për këtë event si të ftuar sjell në Tiranë dirigjenten italiane, Suzana Pasheti dhe këngëtarët, Tulio de Piskopo, Dario Baldam Bembo. Sigurisht dhe mjaft këngëtarë shqiptarë, të preferuar, të njohur për kohën do të këndonin në atë festival.

Vijmë te shfaqja, pengesa të tjera ju dalin?

Së pari, kur Adi Krasta i caktuar të prezantonte “Volare”- n, na njoftoi se do të largohej jashtë shtetit. E kam zëvendësuar me një mik, Federiko Facio, puljez, kantautor i njohur, kitarist, kompozitori i të famshmes “Un’ora solo ti vorrei”. Me të zgjodhëm edhe një vajzë, Blerta Zeqja. Për atë shfaqje u morën nga Italia aplifikatorë të fuqishëm për të garantuar një mbrëmje spektakolare në shesh. Por, nisur nga situata e përhapjes së epidemisë, trageti u vonua dhe vetëm dy orë para shfaqje i kemi montuar. Pastaj koha, nga rreziku e një shiu, e ndryshuam dhe ai u zhvillua jo në shesh, por në mjedisin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku shkruhej “Tirana Festival Internacional”. Sigurisht ishte hera e parë, eksperienca e parë, vështirësitë e para. Megjithatë, hapi debutues për një “Volare” në vazhdim ishte hedhur.

Si e kujtoni, çfarë impakti pati De Piskopo me mjedisin në TOB?

Ai këndoi më shumë se 25 minuta, dhe pse pa asnjë provë më parë luajti ‘live’ me orkestrën ku midis këngëve të tjerave interpretoi të famshmen e tij “Andamento lento”. Për të ishte hera e parë që vinte në Tiranë. U shpreh si ishte përgatitur për të kënduar në shesh, sidoqoftë muzika e tij drithëruese gjeti një mjedis të ngrohtë dhe këngët e tij elektrizuan spektatorët. Baterist i shquar, kantautor, ai mbeti jashtëzakonisht i kënaqur duke premtuar se do të vinte sërish në Tiranë. Po kështu edhe Dario Baldam Bembon, një tjetër këngëtar i muzikë së lehtë italiane që këndoi “Amico e”, tejet e njohur.

Mimo organizoni edhe një sfilatë të veçantë

“Odeon”, e organizuar nga “Contatto Agency”, ku menaxher isha unë. Ai ishte programuar për tri të diela radhazi para publikut. Me fotomodele, talente të reja, grupet që kënduan ishin të një niveli të kënaqshëm, që i argëtoi të pranishmit. Një program që solli në skenë të rinj që donin të afirmohen dhe në dy orë përmblidhej gjithçka, sfilatë, modë, këngë, balet, intervista, quiz. Kënduan grupet “Arb”, “Kristal” etj.. Pati edhe një rubrikë për talentet e reja, ku Rozana Radi këndoi “Love me tender”. Në një moment tjetër shoqëruar nga unë me kitarë, pastaj xhaz, saze u këndua një këngë popullore e moderuar nga Markelian Kapedani dhe Genc Dashi. Interes pati sfilata e modës, e shumëpritur me modele, studente, balerina, me fustane të reja, të qepura për atë natë.

Ka probleme me energjinë elektrike?

Kjo ndodhi në shfaqjen e fundit, që filloi një orë e gjysmë me vonesë, për shkak të prerjes së energjisë elektrike. U improvizuan lojëra dhe këngë të dëgjuara. I pranishëm ishte edhe këngëtari Federico Facio. Gjatë programit u kënduan mjaft këngë të tij dhe disa prej tyre u shoqëruan edhe nga vajzat. Bashkëbisedimi i të rinjve ‘live’ me ambasadorin italian Foresti, me pyetje-përgjigje ishte një tjetër moment i bukur komunikimi. Me “Odeon” lindi vendi i argëtimit të të rinjve, por nuk vazhdoi gjatë.

Viti 1995 edicioni i dytë i “Volare” ofron një surprizë të madhe?

Nisur nga suksesi i edicionit të parë, vendosa të zhvilloja të dytin. Ndodhesha në Milano, në një koncert, ku takohem me Toto Kutunjon. Duke menduar ta ftoja në “Çmimin Volare”, i them: “Toto, a ke dëshirë të shkosh në Shqipëri? Aty të njohin, jeni shumë i mirëpritur. Po, po me shumë kënaqësi m’u përgjigj. Mora kontakt me menaxherin e tij, i cili më kërkon 25 milionë lireta. Janë shumë i them, një vlerë financiare tejet e lartë për mua, por ai nuk e uli shifrën. Ramë dakord që paraprakisht t’i paguaja dhjetë milionë lireta. E shkruam në kontratë, ruaj ende letrat. Fiksuam datën 11 nëntor 1995, në të cilën Kutunjo do të vinte në Tiranë si i ftuar në “Çmimin Volare” dhe vetëm për 3, 4 këngë. Këtë edicion do ta organizonim në Pallatin e Kongreseve, ku drejtor ishte Cezar Asllani, njeri shumë i mirë, korrekt, që më garantoi gjithçka dhe që nuk do të futej asnjë pa biletë, përjashto vetëm rezervimet për qeveritarët.

Përgatitet edhe një poster me këngëtarin italian në qendër

Në “Volare 2” do të merrnin pjesë motrat Inis dhe Ingrid Gjoni, këngëtarët Ledina Çela, Gjergjj Jorgaqi, Redon Makashi, Elton Deda, Enxhi Nini etj., bashkë më një grup me fëmijë të baletit, një orkestër, korin e Liceut Artistik etj.. Me Markelian Kapedanin, Alban Emirin, si dhe muzikantë të tjerë bëmë gati gjithçka, pasi unë do të flas me të, që atë mbrëmje ai të këndojë më shumë se tri këngë, i informova. Për atë koncert do të ishte një angazhim i madh i të gjithëve, skenaristë, drejtor skene etj.. Posterat e koncertit me Kutunjon, këngëtarët e tjerë u vendosën në të gjithë Tiranën. Për ta prezantuar, sërish Zeqja dhe Facio.

Drejt Tiranës me avion dhe mbërritja në Rinas e Kutonjos

Së bashku me Toton e menaxherin e tij u nisëm me avion nga Bolonja. Hotel “Tirana” ku do të qëndronte atë natë, ishte sponsori, si dhe “Albania Airlines”, linja ajrore që na dërguan bileta falas të udhëtimit. Për t’i matur pulsin, në avion i them: “Toto, ti merr 25 milionë lireta sonte vetëm për tri këngë. Mundet të këndosh edhe një këngë më shumë?. OK më tha”. Pra një premtim e mora. Ndërkohë në një letër duke pyetur stjuardesat, ai shkruante fjalë, shprehje shqip, që t’i përdorte. Mësoi mirë “Faleminderit-Grazie”. Sa zbriti në Rinas, para mikrofonit të gazetarëve që kishin ardhur, u shpreh: “Hera e parë që vij në Shqipëri. Ajër i pastër këtu në Tiranë. Faleminderit”! Për ta pritur ishte edhe Firmani, atasheu kulturor i ambasadës italiane.

Provat gjenerale, Toton e pret befasia

Nuk shkuam në hotel, por direkt në teatër. Ora 12-të, patëm parashikuar provat gjenerale. Rrugës i them: “Toto, aty do të gjesh një grup me fëmijë, janë të përgatitur me të gjithë repertorin tënd”. E kisha organizuar që sapo të futej, ja ku e ke grupin gati të këndojnë. Fillon Markeliani, një këngë, një tjetër gjithçka e improvizuar. Dhe vërtet për të ishte një surprizë. Një kor i mrekullueshëm me fëmijë të liceut artistik “Jordan Misja”, të përgatitur nga muzikanti Gjergj Bubani. U befasua. Mimo, janë më të mirë se grupi im që kam në Itali. Këndojnë shumë bukur. Ndërkohë u njoh edhe me orkestrën./Panorama.com.al/