Si vdiq Hatixhe Pipa, nëna e Arshi Pipës, në internim

Familja Pipa nisi t’i vuante dënimet e padrejta të regjimit komunist që në fillim të tij. Vitet kalonin dhe dukej se vetëm jeta mund të mbaronte, por vuajtjet e tyre, nën këtë regjim, jo. Një rrëfim i gjallë nga Plator Kalakulla për fundin e jetës në internim së gjyshes së tij, Hatixhe Pipa

Nga Plator Kalakulla

Pas burgosjes së tim eti, nëna dhe unë kalonim shumë më tepër kohë në shtëpinë e vjetër të gjyshes në Shkodër dhe gjithashtu ajo vinte shpesh në Tiranë te ne. Jetesa e saj ishte bërë tashmë e vështirë. Në kuadër të “revolucionarizimit të jetës së vendit” në vitin 1967, autoritetet prenë të gjitha dërgesat e parave e plaçkave nga të arratisurit shqiptarë.

Kjo masë bëri që ajo të mbetej pa mjete jetese, duke mos pasur as pension. Nëna ime që duke qepur mbante veten, mua dhe burrin e saj në burg deshi që ajo të vinte e të jetonte me ne në Tiranë, por plakës krenare nuk i pëlqente të linte shtëpinë e saj. Dëbimi ynë nga kryeqyteti për në Shkodër në vitin 1975 i vuri kapak kësaj dileme.

Kështu u mblodhëm të tre në shtëpinë e vjetër e të rrëgjuar dhe u munduam të jetonim duke e meremetuar disi e duke u përpjekur të nxirrnim jashtë qiraxhinjtë e futur me detyrim nga Shteti në dhomën më të mirë të saj. Natën para se të flinte e shihja që po i falej Zotit për ne, për ata të largëtit dhe për të vdekurit që nuk mund t’i harronte pasi as ata nuk i kishin lënë të qetë.

Djali i vrarë pa gjyq nuk kishte varr, gjyshit i kishte humbur varri në Durrës, kur mbi varrezat ishte bërë pallati i sportit, ndërsa vajzës së mjerë shteti ia kishte lëvizur kockat nga varrezat e vjetra të Bamit për në ato të Sharrës.

Hatixhe Pipa, gruaja e ulur ne te majte. Ne krah te saj, Arshi Pipa. Ne kembe, djathtas, Myzafer Pipa, i vrare gjate hetuesise ne vitin 1946. Foto: Marubi

Hapesire e Sponsorizuar

Fillimi i viteve ‘80 solli ngjarje të mbarsura me tension ogurzi politik në skenën politike të vendit dhe fatkeqësisht ato preknin familjen tonë të shumëvuajtur. Brenda një harku të shkurtër kohor ndodhi fejesa e bujshme e vajzës së njërës prej mbesave të gjyshes me djalin e Kryeministrit të kohës, prishja e kësaj fejese, vetëvrasja e vetë Kryeministrit dhe shpallja e tij si poliagjent e tradhtar. Në buletinet sekrete për komunistët dhe në bisedat e diktatorit përmendej dhe Arshi Pipa duke u cilësuar si agjent i CIA-s.

Kjo donte të thoshte se ishim të dënuar që nga maja e piramidës. Në atë kohë, si rezultat i një hemorragjie cerebrale gjyshja pësoi një trombozë dhe iu ndal qarkullimi i gjakut në këmbën e dajthtë duke i shkaktuar gangrenë, e cila avanconte me shpejtësi duke iu ngjitur gjurit. Këmba duhej amputuar dhe mjekët nuk ishin shumë optimist, por ajo na befasoi të gjithëve duke dalë gjallë nga operacioni. Pasi qëndroi pak ditë në spital u kthye në shtëpi ku zuri shtratin përfundimisht.

Pak javë më vonë ndodhi internimi ynë në një fshat të humbur bregdetar të zonës së Kavajës.

Tetor 1984, Plator Kalakulla, vitin e pare te internimit.

Ishim të detyruar ta merrnim me vete edhe plakën e mjerë, gjysmë të paralizuar e me këmbë të prerë, duke e mbajtur me një batanije deri te kamioni ku ishin ngarkuar plaçkat. Gjithë rrugën e gjatë, plot tronditje ajo e bëri e shtrirë mbi motorin e kamionit, në kabinë, duke u torturuar nga dhembjet. “Diktatura e Proletariatit” nuk ja kurseu as këtë torturë të fundit. Javët e fundit do të kenë qenë të tmerrshme për të. I takonte të rrinte vetëm thuajse gjithë ditën deri sa ktheheshim nga puna të lagur dhe të dërmuar. Pranë i linim një shishe plastike me biberon me ujë që të mos digjej nga etja. Nuk rrinim dot me të pasi ishim të detyruar të punonim çdo ditë në punët e rënda të bujqësisë sipas urdhrave të Ministrisë së Brendshme për trajtimin e të internuarve. Kështu kaloi afro një muaj. Gjatë kësaj kohe ajo fikej dalëngadalë. Ishte shpesh e ndërgjegjshme dhe e kishte kuptuar se na kishin degdisur në internim, Dy ditë para vitit të ri 1984 ajo pësoi një goditje tjetër cerebrale dhe ra në koma. Pas dyzet e tetë orësh vdiq pa ardhur në vete.

Rrugën për në varrezat e fshatit, të rrethuar me një varg plepash, e bëmë në këmbë pas qerres që shkundej në rrugën e keqe e të përbaltur. Ishim vetëm pesë vetë, ne të familjes dhe dy të internuar të tjerë. Rrugët e fshatit ishin pothuaj të shkreta. Njerëzit merreshin me përgatitjet e Vitit të Ri. Nga oborret me gardhe dëgjoheshin britma grash e të qara fëmijësh, që ndërpriteshin si me urdhër gjatë kalimit tonë për të rifilluar pak më vonë. Nga dyert e dritaret e shtëpive fytyra pa ekspresion na ndiqnin me vështrime të padeshifrueshme. Aty e kishin zakon që në raste të tilla të vdekurin e përcillte i gjithë fshati, por ne nuk ishim të fshatit. Nuk ishim as të Partisë-shtet. Para se ta zbrisnin arkivolin në gropë u kujtova që gjyshja kishte qenë besimtare dhe në vend të shërbesës fetare, që nuk mund të bëhej, thashë me vete një lutje që ajo ma kishte mësuar kur kisha qenë i vogël. Kisha dëgjuar që myslimanëve ua vendosnin kokën nga Meka, por unë as që e kisha idenë se nga binte kjo e fundit. Kështu, kokën ia vumë nga deti, nga perëndimi, andej nga i kishin mbetur sytë dhe zemra. Pak muaj më vonë, të shqetësuar nga zërat e një transferimi të mundshëm në fshatrat e Lushnjës sajuam një pllakë betoni me emrin e saj, të cilën unë e ngula thellë te kreu i varrit në mënyrë që ai të mos humbte. Dhe nuk humbi. Pak muaj pas lirimit nga internimi, u ktheva në fshat dhe i nxorra kockat e saj të mjera nga ai varrr për t’i varrosur sërish në Tiranë, te varri i vajzës së saj të parë, i vetmi varr i familjes që ekzistonte.

Imazhi kryesor: Hatixhe Pipa, foto e viteve ’70./Kujto.al