Sonila Meço: “rrethojeni me shiririta të verdhë nga Hasi në Konispol”

Nga Sonila Meço

“Pal Kola është 60-vjeçari që gjeti vdekjen tragjike orët e para të mëngjesit të sotëm pranë godinës së ‘Top Channel’. Ai punonte roje në këtë televizion dhe në momentin që autorët kanë shtënë me breshëri AK-47, i ndjeri ka qenë duke u ngrohur me ngrohëse brenda kabinës së tij.

Sipas informacioneve, 60-vjeçari priste të dilte në pension, teksa ishte i lumtur që kishte gjetur një punë me të ardhura minimale”.

I ka të gjitha ky tekst kronike nga lajmet e mëngjesit, mjaftueshëm t’ia bëjë copë zemrën edhe më të pandjeshmit. Si erdhëm deri këtu, në vrasjen e një të pafajshmi me ‘bukë në gojë’, në derë të një televizioni kombëtar, pjesë e rëndësishme e historisë mediatike shqiptare me breshëri kallashnikovi, zbrazur me urrejtje e mllef pa pyetur nëse plumbat preknin fasada xhami, shtylla hekuri a trup njeriu në punë të vet?

Në një vend pa konflikte etnike, fetare, racore, pa kërcënim territori, jo në luftë, sovran: Shqipëria, kjo skenë masive krimi.

Rrethojeni me shiririta të verdhë nga Hasi në Konispol! Vrasësi dhe viktima janë skenari i përsëritur i “filmit” “Kokat hëngshin!”

Hapesire e Sponsorizuar