Triumfon dashuria e motrave, konflikti shuhet me përqafimin e shumëpritur prej vitesh

Në fillim të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, motrat Liliana e Bruna që kanë ardhur nga Italia e Turqia shprehën dëshirën që problemi mes tyre të zgjidhej. Prona e prindërve të tyre të ndjerë të cilët lanë pas 9 fëmijë është përvetësuar nga vëllai i tyre që ka ndërruar jetë.

Pavarësisht dyshimit të Lilianës se Bruna ka qenë në dijeni, kjo e fundit thotë se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me të vëllain. Liliana shpreh si kërkesë ndaj motrës së saj se kërkon pjesën e saj të shtëpisë, 1/8 dhe Bruna është dakord.

Bruna: Unë kërkoj të më kthehet banesa ime, banesa ku unë kam jetuar me prindërit.

Eni Çobani: Ta marrësh të gjithën ti?

Bruna: Unë dhe motrat e mia, çfarë u takon motrave të mia ta marrin.

Dy motrat vijnë nga vende të ndryshme dhe jetojnë larg prej vitesh. Gjatë gjithë rubrikës është vënë re se përtej konfliktit, të dyja kanë shumë mall për njëra-tjetrën ndaj Eni Çobani, me kërkesë të moderatorit Ardit Gjebrea realizon takimin e shumëpritur mes tyre.

Eni Çobani: Bruna, mendova se do ta merrje tërë shtëpinë se tërë shtëpinë s’e merr dot.

Bruna: Jo motra, bashkë me motrën.

Hapesire e Sponsorizuar

Eni Çobani: Tani do e takojmë motrën apo jo?

Bruna: Patjetër, me Lilin dhe gjithë motrat. Unë e dua shumë motrën.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndësishme! Faleminderit të gjithë shqiptarëve për dashurinë e jashtëzakonshme dhe kështu duhet të jenë motrat, shtëpitë, pasuritë do t’i lëmë këtu, ne do ikim, do na ngelet vetëm dashuria që kemi për njëri-tjetrin./tvklan.al