Tuneli i arratisjes pranë Bllokut/ 4 të pushkatuar dhe dhjetëra vite burg për të dënuarit

Pas arratisjes së katër të dënuarve që punonin për ndërtimin e aeroportit të Rinasit, në 30 tetor të vitit 1953, edhe të burgosurit e tjerë filluan të shohin dritën e lirisë në fund të tunelit…

Por tentativa e të burgosurve të kampit nr.4 që ndërtonte pallatet buzë Lanës, nuk pati sukses. Pas zbulimit të tunelit që kishin hapur, katër vetë u pushkatuan e 15 të tjerë u dënuan me burg, përfshirë edhe persona që deri në atë kohë ishin të lirë

Kampi Nr.4 u ngrit në shtator të vitit 1953 për të shfrytëzuar të dënuarit në ndërtimin e pallateve në qytetin e Tiranës. Kampi fillimisht u vendos pranë zonës së ish-bllokut të banesave të udhëheqësve komunistë, afër urës së Lanës. Ai funksionoi për 10 vjet duke u zhvendosur e duke ngritur pallate në disa zona të Tiranës, por ngjarja më e bujshme ishte ajo e vitit të parë të jetës së kampit. Në qershor të vitit 1954, kur të dënuarit po punonin për ndërtimin e pallateve buzë Lanës, në kamp u zbulua një tunel. Në një prej barakave të të burgosurve u gjet një gropë e hapur 50 me 50 centimetra, me thellësi 60 cm. Dheu u gjet i shpërndarë brenda barakës. Nga shikimi nga brenda rezultoi se kanali ishte hapur me mjete të forta si thikë e mistri. Brenda tunelit u gjetën edhe veglat e punës.

Kanali u zbulua para se të burgosurit të mund ta vinin në jetë planin e arratisjes. Me siguri dikush kishte spiunuar. Me të gjitha provat në dorë, regjimi do të shpaloste masat më të egra ndaj organizatorëve. Kampi u rrethua me autoblinda (disa burime përmendin datën 14 qershor, të tjera 23 qershor) dhe u arrestuan rreth 20 të burgosur.

Sipas studiuesit Kastriot Dervishi, ideatori i hapjes së kanalit ishte i burgosuri Isuf Velçani, i cili është një nga 4 të dënuarit me pushkatim, pas zbulimit të kanalit. Bashkë me të u ekzekutuan edhe Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami dhe Mark Zef Pali, një nga aktivistët kryesorë të organizatës “Fronti i Bashkuar i Rezistencës”, i cili ishte dënuar në vitin 1951 me 20 vjet burg për “dhënie informatash dhe bashkëpunim me diversantët”.

Më 17 korrik 1954, në Gjykatën e Lartë Ushtarake, filloi gjyqi kundër të akuzuarve. Me vendim nr. 189, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë deklaroi fajtorë për «pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit popullor me qëllim arratisje jashtë shtetit» dhe dënoi me pushkatim 7 të akuzuar: Isuf Velçani, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami, Niko Malo, Besim Latifi, Nasuf Gjilaj. Treve të fundit iu fal jeta, ndërsa Mark Zef Pali bashkë me Isuf Velçanin, Zyhdi Mancakun dhe Abdulla Bajramin u ekzekutua më 14 gusht 1954.

Para ekzekutimit, 7 të dënuarit me vdekje i çuan në burgun 313 të Tiranës, ku në atë kohë vuante dënimin dhe Prelë Syku. “Unë në ato kohë isha në burg, por shkonin e vinin çdo ditë të burgosur nga kampi kështu që e dinim se çfarë po ndodhte”, ka thënë ai për “Zërat e kujtesës”, ku ka treguar çfarë kujtonte nga ajo ngjarje.

“Gjatë kohës që ndodhesha në Burgun e Tiranës, ndodhi edhe revolta e kampit 4, në Breg të Lanës, për të cilën sot, për fat të keq, flitet kaq pak. Një grup të burgosurish kishin planifikuar arratisjen; kishin hapur një tunel 13 metra (rreth 8 metra sipas Kastriot Dervishit).

Shtretërit në kamp ishin 50 cm mbi tokë. Ata hapën tunelin poshtë shtretërve. Gjithë këtë aksion e udhëhiqte Mark Zef Pali. Në këtë grup ka qenë edhe Besim Latifi, Isuf Velçani, Xhemal Suta. Sigurimi, me anë të njerëzve të vet, kishte arritur të penetronte dhe i kishte rënë në erë me kohë këtij plani, por vazhdonte t’i linte të punonin derisa ta mbushnin kupën. Ndërkohë Mark Zef Pali i kishte shkruar të vëllait dhe i thoshte se “në filan vend kam lënë një armë.

Merri, pastroji dhe bëji në gjendje pune, se kam shpresë se do të dalim nja tetëdhjetë vetë; do ta thyejmë burgun në një qoshe”, ka thënë Prelë Syku. Ai ka sqaruar se Marku e kishte shkruar imët letrën në letra të vogla cigaresh dhe e kishte fshehur në tesha, por Sigurimi e kishte lexuar dhe më pas e kishte vënë prapë në vend.

Kur më në fund provat ishin grumbulluar, rreth 20 oficerë të Sigurimit kishin mbërritur natën në kamp për të marrë të lidhur prej duarsh dhe këmbësh, të arrestuarit, 7 prej të cilëve i dënuan me pushkatim dhe të tjerët me dënime të ndryshme. “Emin Bakallin, i cili kishte edhe vetëm dhjetë ditë të mbetura nga dënimi, e dënojnë edhe 20 vjet të tjera ngaqë u kishte instaluar dritën në tunel. Emini kishte marrë një fije nga kapanoni dhe e kishte instaluar ashtu tinëzash”.

Dënimi që dha gjykata për të, sipas studiuesit Kastriot Dervishi, ekzaktësisht ishte 25 vjet burg. Me 25 vjet burgim u dënuan dhe Xhemal Limani, Haziz Xhika, Abdyl Kërluku. Me 20 vjet burgim u dënuan: Qani Mulita, Ali Çollaku, Xhemal Suta, Haki Kaso dhe Kolë Pepa, ndërkaq Haki Ismaili u dënua me 17 vjet, Stefan Gjora me 15 dhe Feim Imeri me 8 vjet burgim.

Sipas Prelë Sykut, gjatë hapjes së tunelit, të burgosurit kishin hasur në tubacionet e shtëpive të udhëheqësve, duke qenë që kampi ishte pranë ish-bllokut dhe kjo i pengoi dhe nuk i la të vazhdonin më tej, por ndërkohë informacioni kishte mbërritur në veshët e Sigurimit.

Përfundimisht, të dënuarit me pushkatim, i sollën në burgun 313, ku prisnin natën kur do i merrnin për t’i ekzekutuar. Dhoma e tyre ishte poshtë asaj të Prelë Sykut.

“Erdhën Stavri Xharra, Delo Balili, Nevzat Haznedari, pra një grup oficerësh të lartë. Ne I pamë se u duhej të kalonin mes për mes burgut politik. Shkuan te të dënuarit me vdekje. Tre i zgjidhën, katër i lanë. Atë natë, se çfarë rebelimi a qëndrese bënë ata që ishin të lidhur këmbë e duar, nuk e morëm vesh, por di që ka ardhur policia dhe i ka mbytur me dru.

Dhe ishte gjakosur krejt korridori dhe shkallët. I kishin zhveshur krejt lakuriq, sepse pamë kanotieret me emra: “Zyhdi Mancaku”, “Mark Zefi”…Prej atij terrori, ne na lanë gjithë natën pa shkuar në banjo, pa ushqim, madje nuk na bënë as apelin si zakonisht. Kur na nxorën të nesërmen, pamë shkallët e lara me gjak, deri te dera e ajrosjes. Për pesëmbëdhjetë ditë ra zia në burgun politik. Nuk fliste kush, nuk luante kush as shah e as tavëll prej mërzisë”.

Sigurimi ndëshkoi edhe familjen e Markut, e cila kishte marrë letrat për përgatitjen e armëve. Sipas Prelë Sykut, Sigurimi i shkruajti Pashk Zef Palit në emër të të vëllait, të vinte ta takonte. Aty, komandanti i burgut të Tiranës, Vangjel Rrëmbeci i shpall arrestimin. “I vënë hekurat dhe e futën në gaz-in e Degës dhe e morën me vete që të gjente dhe dorëzonte armët që kishte pastruar.

Ndërkohë i biri i Markut, Zef Pali që ishte nja 17 vjeç, kur e kishte marrë vesh që i kishin arrestuar të atin, u kishte ndërruar vendin armëve; i kishte fshehur në një vend tjetër, ku nuk mund t’i gjente kush. Shkoi Pashku me oficerët e Sigurimit, i kërkoi, por nuk i gjeti aty ku i kishte lënë. Atëherë kapin të birin dhe e detyruan t’i nxirrte, se o me i tregue, o me të dalë shpirti.

Pashkun, si përfundim, e dënuan me 15 vjet burg. Të birin, me 10 vjet burg. Kurse Markun e pushkatuan. Kjo qe tragjedia e kampit numër 4”, e mbyll rrëfimin për këtë ngjarje Prelë Syku, duke e krahasuar, për nga pasojat që pati në dënimin e të burgosurve me pushkatime dhe burg, me revoltat e Spaçit dhe Qafë-Barit.

Top Img back to top