Vdiq në vitin 1987 në moshën 55-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar

Aktori i njohur shqiptar, Kujtim Spahivogli u lind më 30 qershor të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987.

Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor.

Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.

Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”. “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

Kujtim Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi, transmeton ‘konica.al’.
Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra. Pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi, artikuj e ese.

Vdiq në vitin 1987 në moshën 55-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.

Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Hapesire e Sponsorizuar

ObserverKult