Viktor Gjoka ylli i Teatrit shqiptar (Lindur ne Peshtan, shkolluar ne “Bashkimin Sovjetik”, nje nga aktoret me te medhenj te Teatrit Kombetar Shqiptar)
Kush është Viktor Gjoka, kemi pyetur shpesh për të. “Eh Viktori..!” Dhe miqtë e tij më të vjetër kanë harruar të na japin përgjigje. Kanë buzëqeshur sikur të kenë patur parasysh hijen e tij, e ndërkohë kujtimet e brendshme i kanë bërë të jenë të paqartë. “Eh, Viktori..! Sa i madh që ishte Viktori, sa i talentuar, sa i mirë që ishte Viktori”. Pastaj kanë folur aq pak për vuajtjet e tij të shumta. Kanë heshtur. Kanë rikujtuar më pas rolet, mbresat, batuat, famën, dhe përgjigjen se kush ishte Viktor Gjoka edhe nga miqtë e tij më të ngushtë nuk e kemi marrë dot. Na kanë thënë se u detyrua të arratisej para 90’ës në Itali. Portret më retorik se ky nuk i kanë bërë ndonjë artisti. Pse iku në Itali më pas, pse e dënuan më parë.
Si ndodhi?
Të gjitha përgjigjet janë të paqarta, sepse janë pleksur me kohën e çuditshme që jetuam, por edhe me temparamentin impulsiv të tij.
Viktor Gjoka ka ardhur këto ditë nga Roma në Tiranë. Është vështirë ta shkëputësh nga miqtë dhe është lehtë të dëgjosh me orë të tëra duke biseduar me ta. Qenka me të vërtetë fat i madh ta njohësh nga afër Viktor Gjokën..!
Është aq ekspresiv, sugjestionues dhe artist në biseda.
Në tavolinën ku mund të jesh ulur me të jeton aq shumë situata të improvizuara, saqë do t’ja kalonin pa frikë regjisë së një teatri postmodern. Reciton pjesë teatrore, improvizon kujtimet e jetës së tij nëpëmjet një aktrimi brilant dhe humori tepër fin. S’është çudi që historia e vërtetë e jetës së tij të nis kështu: “Atëhere më dërguan në Bërxhit. Më pas më lanë edhe pa punë. Buka m’u mbarua. Kur kisha pak e ndaja me një maçok që mbaja në dhomë. Kur më mbeti vetëm një copë, mendova “O maçoku, o unë” dhe e fsheha kafshatën e fundit të bukës në xhep…” Të qeshësh me vuajtjet, me fodullëkun e një regjimi që të ka prerë krahët, që të vrarë shpirtin, e të duash prapë jetën, ta sfidosh atë dhe edhe kur të jesh afër të ’70- tave duke rrezatuar prapë energji, gëzim, dashuri për artin, për njerëzit, është një dhunti më vete. E unë njeriu kushdo qofsha para këtij artisti pësoj në vetvete një katarsis energjik.
Energjia është përsosur brenda tij. Sapo ka ardhur në Tiranë dhe kërkon diçka ta ndryshojë: “Më vjen keq që artistët i shoh si të çorganizuar”, thotë duke kujtuar dikë që dikur shkëlqeu… “Unë nuk e kuptoj pse ndiqet një politikë e tillë.
Respektohen më tepër të huajt dhe unë për çudi shoh shumë nga gazetat tona që flasin për ta me shumë superlativa, kurse artistët tanë që kanë dhënë një kontribut shumë të madh harrohen. Sikur ka një lloj xhelozie këtu, një lloj sfumimi”.
Gjoka e nuhat menjëherë pavëmendjen absolute të qeverisë ndaj artit. “Si e keni vuajtur ju vetë gjatë kohës që keni qenë në Shqipëri, xhelozinë ose sfumimin?”, e pyes. “Unë e kam vuajtur shumë indiferentizmin shtetëror. Kanë qenë kolegët, aktorë që më thonë “sa bukur e ke luajtur këtë gjë”, “sa bukur ke qëlluar në këtë rol” dhe me një sy kritik të vëmendshëm tregojnë detajet e filozofisë sime të aktrimit.
Po unë vi këtu pas kaq vjetësh dhe shoh që rivihet “Karnavalet e Korçës” në skenë. Po ky Viktor Gjoka që është akoma i gjallë dhe këta nuk po kujtohen për asnjë gjë. Nuk më vjen se këta thonë “Eh, po punë e madhe se këtë do ta harrojmë. E ç‘ishte ai hiç”. Por puna është se çështja e dashurisë për kolegun, për aktorët duhet t’ju bierë ndër mend edhe këtyre njerëzve, sepse kultura e një populli qëndron mbi supet e këtyre njerëzve. Ah sa shpejt që gjejnë këta politikanët mënyra të xhvasin, të ngrenë pallate, të zhvillojnë biznese të mëdha, po për artistët pse nuk duan të ivenstojnë”, thotë Viktori i nxehur. Ja aktori i njohur Roland Trebicka kur do të luante rolin e Nikollaqit tek “Karnavalet e Korçës” si model brilant pati marrë parasysh Viktor Gjokën. “Kujtoj se para 40 vjet?sh këtë rol e kanë luajtur aktorë të shk?lqyer, si një nga aktorët më fantastik të komedisë, Viktor Gjoka” ka thënë ai. (Dhurata Hamzai, 2002. Nje shkrim i botuar ne gazeten Tema rreth kthimit te Viktorit nga Italia)