Vrasja e mësuesve të Liceut të Gjirokastrës, nga Ilirjan Lluri

Dedikim për fëmijët e mësuesve të vrarë të Liceut Frëng të Gjirokastrës: Arta, Karolina, Hektor, Prindvera e Platon Kokalari.

Dedikim për Bardhylin dhe Tomorin, fëmijët e nxënësit të shkëlqyer të liceut Hamitit, vëllait më të vogël të Musine Kokalarit.

VËLLEZËRIT KOKALARI DHE ENVER HOXHA

Është një fakt i njohur tashmë që Enver Hoxha, udhëheqësi, që drejtoi Shqipërinë për afro gjysëm shekulli ishte një nga nxënësit e Liceut Francez të Gjirokastrës. Dëshmitë na rrëfejnë madje se ai ishte edhe një nxënës shumë i mirë në mësime. Pikërisht në lice zë fill marrëdhënia e tij me disa personalitete të fisit të njohur, Kokalari. Duhet thënë se ata ishin kushurinj mes tyre.

MUMTAZ DHE VESIM KOKALARI

Në listën e mësuesve shqiptarë që u përzgjodhën për të dhënë mësim në Liceun Francez të Gjirokastrës bënin pjesë edhe vëllezërit Kokalari; Mumtazi dhe Vesimi. Sigurisht që dr. i Liceut, francezi Viktor Kutan, nuk kishte asnjë njohje personale me ta përpara mbërritjes në Gjirokastër. Po atëherë ç’farë i favorizoi vëllezërit Kokalari për tu bërë pjesë e trupës së profesorëve të Liceut, krahasuar me mësuesit e tjerë gjirokastritë?

Hapesire e Sponsorizuar

KTHIMI I KOKALARAJVE NGA TURQIA

Familja Kokalari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Turqia. Të dy vëllezërit e zotëronin mirë frëngjishten. Mumtazi kishe mjaft eksperiencë si organizator dhe drejtues shkolle. Ai me porosi të shoqërisë patriotike “Djelmëria”, kishte themeluar në lagjen “Ejub” të Stambollit shkollën fillore shqipe “Kosova”. Për tre vjet 1919 – 1921 ai ju dha mësim fëmijëve shqiptarë. Këto aftësi sigurisht ishin domethënëse për drejtorin e Liceut Kutan, suksesi i të cilit varej edhe prej aftësive që do të kishin mësuesit e zgjedhur. Kur ai mbërriti në Gjirokastër, në qytet funksiononte një kurs për mësimin e gjuhës frënge. Kursin e drejtonte djali i dytë i avokatit Reshat Kokalari, Vesimi. Prej këtyre faktorëve, vëllezërit Kokalari u përzgjodhën të dy si pjesë e stafit të Liceut, pavarësisht kundërshtisë nga një pjesë e mësuesve gjirokastritë, të cilët, emërimin e tyre në të njëjtën shkollë, e cilësuan si veprim që binte ndesh me legjislacionin shqiptar.

HAMIT KOKALARI DHE ENVER HOXHA

Përzgjedhja e 30 nxënësve për në Lice u bë nga Hysni Babameto, ndërsa 10 vajzat u zgjodhën nga dr. liceut Viktor Kutan. Vajzat vinin nga shkolla femërore e lagjes “Varrosh”, e cila drejtohej nga Urani Rumbo, ndërsa djemtë nga shkolla “Drita” e lagjes Palorto. Mes djemve të zgjedhur bënin pjesë edhe Hamit Kokalari, vëllai i vogël i dy mësuesve Mumtaz dhe Vesim Kokalari dhe Enver Hoxha. As Hamiti, as Enveri nuk na kanë lënë ndonjë të dhënë në kujtimet e tyre, në se ishin shokë klase në shkollën plotore “Drita” apo jo? Por ata ishin banorë të së njëjtës lagje, Palortosë. Hamiti e kishte shtëpinë poshtë “Kërcullës”, mbi godinën e Liceut, ndërsa Enveri pranë rrugës me “pesë sokakë”. Dy lagjarët u bënë pjesë e të njëjtës klasë të Liceut dhe shpejt mes tyre u lidh një “miqësi” që do të zgjaste në kohë. Djemtë ndryshonin shumë mes tyre, nga shtati. Enveri vinte i gjatë dhe i fortë, ndërkohë që Hamiti ishte i shkurtër dhe delikat. Miqësia mes tyre ndoshta u forcua më shumë gjatë zhvillimit të aktiviteteve artistike të përbashkëta. Enveri ishte pjesë e grupit teatror, ndërsa Hamiti ishte drejtues i grupit të mandolinatës të Liceut. Shfaqet ishin të përbashkëta. Por arsyeja e vërtetë e miqësisë ndoshta kishte të bënte thjesht me kujdesin e të madhit, ndaj të voglit, e të fortit ndaj të dobëtit.

ENVERI, MBROJTËS I HAMITIT

Megjithëse Hamit Kokalari nuk e përmend asnjëherë në kujtime, dorën mbrojtëse të liceistit Enver, ky i fundit e thotë hapur në librin “Kujtime të vegjëlisë”, mbrojtjen e afruar ndaj Hamitit delikat dhe të shkëlqyer në mësime. Ishin rezultatet e larta të Hamitit ato që shkaktuan edhe xhelozinë ndaj tij. I pari nga nxënësit që nuk e duroi dot shkëlqimin e tij në mësime ishte Bedri Spahiu. Ja si e sjell në kujtime Enveri, këtë moment:

Bedri Spahiu e kishte inat Hamit Kokalarin, sepse ky ishte i shkëlqyer në mësime. Ai e kërcënoi haptas atë, se ndonjë ditë do t’i dilte në rrugë dhe do ta vriste me thikë. Ne u përpoqëm t’i pajtonim, por Bedriu nuk dëgjonte, Filluam të shoqërojmë me rradhë Hamitin për në shtëpi. Grindja u mbyll pasi Bedri Spahiu e la Liceun dhe u largua për në shkollën e oficerëve.

Por largimi i Bedri Spahiut nuk i dha fund shqetësimeve të Hamitit. Vendin e tij e zuri një tjetër liceist, Kiço Karajani:

Xhelozinë me Hamit Kokalarin e filloi edhe Kiço Karajani. Edhe Kiçoja përmendi thikën, por jo si Bedriu që ta vriste, por ta gërvishte ose t’i griste xhaketën. Prandaj bënte ç’bënte zinte vend në klasë mbrapa Hamitit dhe nga e çara e bangës zgjaste thikën që kur të mbështetej Hamiti të shpohej nga thika. Një ditë thika e shpoi Hamitin. Ne i dhamë një dru Kiços dhe që nga ajo ditë ai nuk e përsëriti më atë shaka.

Enveri në kujtime nuk përmend asnjë nga emrat e shokëve me të cilët i dilte në mbrojtje Hamitit, duke përcaktuar vetveten në krye të saj. Por mbrojtja më e madhe e tij ndaj Hamitit, do të ishte ajo e 20 viteve më vonë, e nëntorit të 1944.

ENVERI, ISH LICEISTI URDHËR-VRASËS

Qëndrimi radikal i ish liceistit Enver Hoxha ndaj mësuesve të tij të Liceut është i pashembëllt në histori. Komandanti i Luftës Nac – Çlirimtare ende pa u çliruar vendi, u kujdes të eliminonte kundërshtarët e tij politik. Në 12 nëntor të 1944, shtatëmbëdhjetë ditë përpara çlirimit të vendit, forcat partizane arrestuan dy vëllezërit Kokalari, ish mësues të Liceut; Mumtazin dhe Vesimin. Vëllai i vogël i tyre, Hamiti ishte i sëmurë në shtrat dhe partizanët e “kursyen”. Pas disa ditësh dy vëllezërit Kokalari, pjesë e stafit të parë të Liceut, ish mësuesit e Enver Hoxhës, u pushkatuan pa gjyq në bodrumin e hotel “Bristol” së bashku me disa qytetarë të tjerë të Tiranës. Vështirë të besohet se shkaku për vrasjen e dy vëllezërve Kokalari ka qënë vetëm politik. Megjithëse motivi i vërtetë është mjegulluar në kohë, është folur dhe këmbëngulur madje se shkaku real i tërbimit të Enverit ndaj tyre, ka qënë refuzimi që ata i bënë kërkesës së tij për t’u fejuar me motrën e tyre të vetme, Musinenë.

SI I SHPËTOI PUSHKATIMIT HAMITI?!

Sa herë është folur për arrestimin e vëllezërve Mumtaz dhe Vesim Kokalari, është përmendur edhe fakti se vëllai i tyre i vogël, Hamiti i shpëtoi arrestimit për shkak të sëmundjes. Ai digjej në shtrat nga ethet. Ky argument në vështrimin e kohës së sotme dhe me informacionet që zotërojmë, s’mund të jetë bindës për dy arsye:

Kush mund të kishte kurajo nga ai grup i forcave të çlirimit të Tiranës, që kryen arrestimin, të thyente urdhërin dhe të mos arrestonte Hamitin, nëse ky do të ishte në listën e lëshuar nga komanda?
Cila komandë ushtarake do të pranonte prej vartësve, argumentin se temperatura apo sëmundja, janë shkaqe të arsyeshme për të pezulluar një vendim arrestimi. S’është dëgjuar kurrë që duhet të jesh medoemos shëndoshË e mirë, që të shkosh para plumbit.

Megjithëse e vërteta pas kaq kohësh bëhet edhe më e vështirë për t’u gjetur, arsyeja dhe rrjedha e mëvonëshme e jetës së Hamit Kokalarit na sugjerojnë tjetër gjë. Shoku i tij i Liceut, Enveri që e kishte mbrojtur në bangat e shkollës nga thika e Bedri Spahiut dhe Kiço Karajanit, tani po e mbronte nga vetja e tij. Kjo mbrojtje do të zgjaste për gjithë kohën sa ish liceisti Enver Hoxha nga komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nac – Çlirimtare, do të kthehej në udhëheqësin politik të vendit. Kariera e mëvonshme e Hamitit e tregon fare qartë këtë gjë.

1956 – përkthyes në gazetën “Për një paqe të qëndrueshme, për një demokraci popullore”.

1956 – 1969 – përkthyes letrar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.

1969 – 1971 – përkthyes i materialeve politike në shtëpinë botuese “8 nëntori”.

1970 – dhjetor – shkurt punoi në Republikën Popullore të Kinës për të redaktuar bocat e historisë së PPSH, në gjuhët frëngjisht, italisht dhe spanjisht.

Udhëheqësi komunist i vendit, Enver Hoxha do ta vazhdonte rolin e mbrojtësit ndaj shokut të tij të Liceut. Duhet pohuar se veç Enverit, Hamitin e shpëtoi nga vdekja edhe natyra e tij e paqtë, mënçuria dhe më vonë talenti i rrallë si përkthyes. Gjithsesi duhet pohuar se ishte fat që nxënësi i shkëlqyer i Liceut, i vetmi i dekoruar nga Ministria e Punëve të Jashme të Francës, mbeti gjallë. Shkëlqimi i tij i bënte hije udhëheqësit të luftës, shokut të liceut, Enverit. Për këtë arsye u mbulua nga heshtja.

ENVERI DHE SALIM KOKALARI

Në vitin 1926 filloi punë si mësues në lice edhe Salim Kokalari, djali i xhaxhait të vëllezërve Kokalari. Ky është një nga profesorët sjellja e të cilit, la gjurmë të forta tek liceisti Enver Hoxha. Ishin gjurmë negative. Kur lexon rrëfimin e tij në lidhje me profesor Salimin, e kupton menjëherë mllefin e grumbulluar tek udhëheqësi komunist i Shqipërisë, mllef i cili dukej sikur rritej brenda tij, sa më shumë koha e largonte ditën e zhvillimit të ngjarjes. Ja si e sjell në kujtimet e tij Enver Hoxha këtë moment:

Një ditë kaloi në oborr profesori Salim Kokalari. Si zakonisht unë e përshëndeta me dorë në ballë. Ai u ndal dhe më tha; Përshëndetëm edhe një herë. Unë përsërita përshëndetjen. Ai nuk u kënaq dhe vazhdoi përsëri e përsëri përshëndetjen, mbase nja pesëmbëdhjetë herë. Nuk e kuptoja arsyen pse atij nuk i pëlqente kjo lloj përshëndetje. Të gjithë më shikonin dhe qeshnin, ndërsa unë isha skuqur. M’u lodh dora dhe kur më tha përsëri ta përshëndesja, fillova me dorën tjetër. Kësaj here ai u kënaq. Deri më parë unë e kisha përshëndetur me dorën e majtë, që populli e quan edhe “dorë e keqe”. Bëra kujdes të mos harroja herë tjetër të përshëndesja me dorën e djathtë, me “dorën e mirë”.

Megjithëse i dekoruar me “Urdhrin e Flamurit” edhe Salim Kokalari, djali i xhaxhait të vëllezërve Kokalari dhe ish mësues i liceut të Gjirokastrës u pushkatua me akuzën “Për veprimtari antipopullore dhe antiligjore” në fund të vitit 1946. Të bën përshtypje fakti se nga të gjithë mësuesit e tij në Liceun Francez të Gjirokastrës, Enveri u kujdes të eliminojë në mënyrë të veçantë ata me mbiemrin Kokalari. Hakmarrja u shtri edhe mbi Musinenë, motrën e vetme të tre vëllezërve Kokalari. Për herë të parë Musinea e vogël e kishte parë Enverin liceist me siguri nga muret që kornizonin fushën e tenisit ku loznin profesorët francezë e cila gjendej në krah të shtëpisë së saj:

Hamiti lozte sportin e tenisit, që ushtrohej në qytetin e Gjirokastrës në sheshin që ndodhej mbi lice, pasi u prishën barakat e italianëve. Aty luanin profesorët dhe nxënësit. Midis tyre ishte edhe vëllai im i vogël Hamiti. Ne të vegjlit rinim mbi mure. Unë gëzohesha kur ndonjë top çahesh se ma jepnin mua.

Enveri vetë pohon se profesorët shpesh ju jepnin nxënësve raketat që të luanin edhe ata, domethënë ai, Hamiti dhe shokët e tyre:

Mbi Lice ishin disa gazerma italiane, të cilat pasi iku Italia ranë pre e rrëmbimit nga banorët. Në vend mbeti vetëm dyshemeja me çimento. Mbi atë dysheme profesorët francezë bënë një fushë tenisi. Profesorët francezë luanin dhe ne ju mblidhnim topat, të cilët shpërndaheshin andej-këndej. Pasi mbaronin ata na jepnin edhe neve raketat të luanim.

Ndryshe nga vëllai i saj Hamiti, njëzetë vjet më vonë Musinea do të ndeshej me Enverin në një tjetër fushë; atë të politikës. Dhe kjo sigurisht nuk ishte lojë. Shkrimtarja dhe disidentja e parë shqiptare u dënua me 20 vjet burg si organizatore e formacionit të parë politik opozitar; “Fronti i Bashkimit Social – Demokrat”. Pas burgut ajo u internua në qytetin e Rrëshenit. Kohën e internimit në këtë qytet, e shtynte duke pritur të vetmin gëzim të vitit, pushimet verore. Gjatë këtyre ditëve ajo qëndronte në Tiranë tek i vëllai i saj i vogël, Hamiti. Por kjo nuk do të zgjaste shumë. Dora e gjatë dhe e fshehtë e pushtetit, përmes kërcënimit dhe presionit e shkatërroi pabesisht edhe të vetmen rrugë komunikimi mes vëllait dhe motrës, të vetmit të mbetur gjallë nga familja e Reshat Kokalarit. Ata u ndanë nga kjo jetë të hidhëruar nga njeri – tjetri, ndërkohë që shkaktari i vërtetë fshihej pas “shpirtmirësisë” dhe “besimit” që i jepte Hamitit në përkthimin e botimeve politike në dobi të socializmit botëror.

MEMORIALI I MUNGUAR

Një ceremoni përkujtimore për të gjithë ata mësues që u eliminuan fizikisht nga diktatura që u instalua në Shqipëri do të ishte plotësisht ee justifikuar dhe merituar në kuadër të 100 vjetorit të liceut të parë miks në Shqipëri, Por ngritja e një memoriali në nderim të kujtimit të tyre, do fliste shumë për aktin barbar të vrasjes së mësuesve. Mos vallë është harruar fakti se pena dhe pushka, Bajua dhe Çerçizi u bënë bashkë kur u vra mësuesi-prift Papa Kristo Negovani (Humelica)? Por pavarësisht kësaj tragjedie, fisi i njohur Kokalari vijoi të nxjerrë mësues në shërbim të edukimit të rinisë gjirokastrite në këtë lice-gjimnaz, si Hulusi Kokalari, Agron Kokalari, e Dasho Kokalari. Si për ta shenjuar kontributin e madh të kësaj familjeje, 100 vjetori i saj, e gjeti qytetin me të vetmin mësues të gjallë të vlerësuar nga Presidenca me titullin e madh “Mësues i Popullit”. Ai është 85 vjeçari Tajar Kokalari, një ish mësues “legjendë”, me një përkushtim dhe kontribut të gjatë e të spikatur. Të njëjtin titull vite më parë e kishte marrë edhe gjyshi nga ana e nënës e vëllezërve Kokalari, Hasan Çiço. Të tre mësuesit e vrarë, Mumtazi, Vesimi dhe Salimi, janë nderuar nga Bashkia Gjirokastër me titullin “Qytetar Nderi”. Fiset e mëdha gjirokastrite, nuk janë të tilla thjesht nga numri i anëtarëve të tyre, por nga kontributi që ato kanë dhënë në momentet kyçe të historisë. Ashtu si fiset Topulli dhe Papapano, fisi Kokalari zë një vend nderi mes atyre që sakrifikuan gjithçka për Gjirokastrën tonë dhe Shqipërinë./Telegraf.al