Xhevdet Feri nderohet me titullin “Qytetar nderi” i Durrësit, e bija: E deshi vendlindjen pa kushte

Në një aktivitet të veçantë u zhvillua mbrëmjen e së martës ceremonia e nderit të aktorit Xhevdet Feri “Qytetar nderi” i Durrësit (pas vdekjes). Ky organizim u mbajt në hollin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku në skenën e improvizuar kryesonte imazhi i artistit.

Mes emocionesh të shumta, të ftuarit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe personalitete të tjerë përkujtuan mjeshtrin e filmit dhe teatrit, artistin e madh që ka frymëzuar breza, profesorin dhe qytetarin fisnik Xhevdet Feri.

Ky aktivitet u drejtua nga regjisorja e qytetit, Driada Dervishi. Pjesëmarrësit që e morën fjalën vlerësuan figurën shumëdimensionale të aktorit durrsak, Xhevdet Feri, i cili përfaqëson dhe një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar. Duke zbuluar lidhjen e përhershme me qytetin e lindjes, autorja Anila Varfi rrëfeu se Festivali i Filmit që nisi në Durrës në 2008 erdhi si një dëshirë e të paharrueshmit Xhevdet Ferrit.

Ndërsa regjisori Petrit Beci vlerësoi Xhevdet Ferin, jo vetëm si aktor, por si një njeri të përkushtuar që e donte teatrin dhe që i kontribuohet edhe ligji për teatrin, që u shkrua nga ai.
Në vijim kryebashkiakja Emiriana Sako duke vlerësuar rrugëtimin e Xhevdet Ferit i dorëzoi vajzës së tij edhe diplomën “Qytetar nderi” të dhënë nga këshilli bashkiak i qytetit bregdetar.

Në fjalën e saj, Bora Ferri shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke falënderuar edhe në emër të babait të saj, që e deshi Durrësin, vendlindjen e tij gjatë gjithë jetës, pa kushte.

Xhevdet Feri u nda nga jeta 4 vite më parë, në moshën 59-vjeçare, ndërsa do të mbahet mend për shumë role të spikatura në kinematografinë shqiptare. Ky titull iu dha artistit të mirënjohur me motivacionin: “Personalitet i lartë dhe i shquar në fushën e artit, kulturës, edukimit, politikave kulturore, qytetar model, artist i madh i skenës dhe ekranit, deputet që përfaqësoi me nder dhe dinjitet qytetin e Durrësit”.

Hapesire e Sponsorizuar

Xhevdet Feri, lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Ai ishte bashkëshorti i aktores Rozeta Feri me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj.
Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student. Më pas ai zhvilloi një karrierë të gjatë artistike.

Filmografia
1980 – Skëterrë ‘43 – Arjani
1980 – Vëllezër dhe shokë – Marko
1981 – Gjurmë në kaltërsi – Astriti
1982 – Era e ngrohtë e thellësive (Film TV) – Arben Bano

1982 – Besa e kuqe – Pali
1984 – Fushë e blertë fushë e kuqe – Petriti
1984 – Vendimi – Sadriu
1985 – Hije që mbeten pas – Agroni

1986 – Dhe vjen një ditë – Gori
1987 – Përrallë nga e kaluara – Trimi
1988 – Treni niset më shtatë pa pesë – Martini
1990 – Vitet e pritjes – Gjon Kodri

1994 – Larg barbarëve/Loin des barbares – Emigranti
1998 – Dasma e Sakos – Sako
2004 – Saimir – Edmondi, babai i Saimirit
2006 – Gjoleka, djali i Abazit – Shoferi i autobuzit

2007 – Koha e kometës – Bashkëshorti i Agnes
2009 – Gjallë – Alive! – Zefi
2009 – Në kërkim të kujt – Prokurori

Regjisor
2006 – Gjoleka, djali i Abazit (as/regjisor)
2000 – Tradhti bashkëshortore

Çmime e Tituj
18 Prill 1987 – Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të Gorit në filmin “Dhe vjen një ditë” në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë nga data 13 deri në 18 prill 1987./Panorama