Zef Ashta, një zotëri në burg

Regjimi komunist duke e dënuar tri herë e duke e lënë në burg për gati 30 vjet, i shkatërroi jetën ushtarakut të lartë të diplomuar në Itali, por nuk shkatërroi njeriun Zef Ashta. Megjithëse vuante një burgim të gjatë e të pashpresë, Ashta u kthye në një model shpresëdhënës për të burgosurit politikë. Kujto.al sjell një profil të tij, mbëeshtetur në mbresat e jashtëzakonshme të një ish-të dënuari politik, të ri në moshë, që e njohu në burg dhe nuk e harroi kurrë

Zef Ashta është një nga ish-të dënuarit politikë me më shumë vite burg në Shqipëri. U dënua për herë të parë kur ishte 33 vjeç dhe nga ajo kohë, përndjekja ndaj tij nuk u ndal.

“Oficeri me Akademi Ushtarake, Zef Cin Ashta, lindur në Shkodër në vitin 1913, u dënua tre herë nga komunistët dhe vdiq në burg në vitin e 30 të vuajtjes së dënimit. Vuajti saktësisht 29 vjet, 5 muaj e 25 ditë. Një jetë e shkruar kot dhe e kaluar me shumë mundime. Pothuaj asnjë ditë e bardhë nga viti 1946 e deri në vdekje në vitin 1979. Një histori nga të shumtat e njerëzve të shkolluar që vuajtën nën një regjim injorantësh”, shkruan studiuesi Kastriot Dervishi për të, në një publikim në gazetën 55.

E megjithatë, siç tregon ish-i dënuari Shkëlqim Abazi, përgjatë librit “Spaçi”, botim i ISKK, Zef Ashta nuk u mposht, por u shndërrua nga një oficer karriere, në atdhetar dhe shërbestar të nacionalizmit e shqiptarizmës në burg. Abazi i kushton një pjesë të veçantë oficerit, të cilin e pati edhe mësues italishteje në Spaç të cilën po e sjellim me shkurtime.

“Kur do më transferonin në Spaç -shkruan Abazi -në shtator 1970, miqtë ma rekomanduan si një ndër personat që duhej ta takoja, për të më orientuar në mjedisin e ri.

Ishte një shtatimët mbi pesëdhjetë e pesë-gjashtëdhjetë vjeç, i hequr, i thatë, i kërrusur, larg identikitit të oficerit shtatmadh. Por timbri i butë, delikatesa dhe takti prej zotërie e bënin interesant.

…Ai përçonte virtytet e martirit në sjelljen model e karakterin e paepur dhe shpaloste qetësinë olimpike të intelektualit modern me qëndresën morale. Në atë personalitet qenë pleksur besimi i idelistit te e nesërmja më e mirë, me fisnikërinë e nacionalistit të kulluar që i blatoi Atdheut dashurinë pa kushte edhe kur iu bë njerkë.

Hapesire e Sponsorizuar

Ai ishte mik i sinqertë, i gjindshëm dhe I sakrificës pa u bërë I bezdisshëm. Një etalon modestie, ndershmërie, përsosmërie, zgjuarsie, trimërie dhe një shtyllë morale ku gjenin mbështetje të rinjtë.

Ndonëse në kushte jo komode dhe në vështirësi, atëbotë që shumëkush mund të ish dhënë, ai rezistoi duke shpalosur vlerat e qytetarisë shkodrane.

Zefi përfaqësonte tipin e përkorë me një det virtytesh. Te ai qe ndërthurur edukata kristiane me jetesën spartane, ndoshta e ngulitur nga vitet e studimeve akademike në Itali, qe pleksur eleganca me sqimën dhe disiplina me fjalën e nderit, të konsoliduara gjatë shërbimit në radhët e ushtrisë kombëtare, cilësi që gërshetoheshin me gjakftohtësinë dhe sensin e gjykimit në situata të pazakonta.

Poligloti par excellence zotëronte në perfeksion italishten e vjetër dhe moderne, latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten, spanjishten.

…Megjithë erudicionin s’u hoq me të madh…

Ndonëse s’na përkonte mosha, origjina, profesioni, përgatitja, gjeta në personin e tij drejtuesin ideal.

Tek ai shihnim të moshuarin energjik, misionarin e përkushtuar, personin që s’e përfilli lokalizmin, përkundrazi i përçmonte nxitësit e kësaj dukurie. Për të ishin të papranueshme dasitë, ndaj edhe ndërtoi marrëdhënie të denja për zotërinj.

E njihnim për mit’hatist me bindje të çlirëta, mirëkuptues logjikëftohtë me edukatë të përsosur, kulturë të gjerë, intelekt brilant, i hapur ndaj bashkëbiseduesit, sa dëgjonte me durim çdo kundërshtar, madje i linte hapësirë të shpreheshin pa i ndërprerë dhe s’iu kundërvihej edhe kur e fyenin me fjalor banal, ndaj e mbanin për polemist të shkëlqyer.

Qysh në krye e njoha shëndetlig, por s’e dëgjova të ankohej. Vuante nga një koleksion sëmundjesh, por duronte shkërmoqjen e eshtrave dhe copëtimin e mushkërive kavernoze me stoicizëm martiri. Bash për këtë i nevojitej ushqim paksa më cilësor, që s’kishte mundësi ta siguronte sepse ishte gjashtëqindësh permanent; edhe kur e nxirrnin në punë e çonin në brigadën e mirëmbajtjes që gjithsesi s’ia shtonte racionin me ndonjë thërrmijë më tepër.

Nga familja s’para kishte ndihma, sepse e motra stërmundohej t’i gjendej, po ishte tejet e vobektë dhe e kish të pamundur të vinte shpesh në Spaç për shkak të largësisë dhe mungesave financiare, ndaj rrekej t’i niste tek-tuk, ndonjë pako të varfër dhe letra sa për ta mbajtur në korrent të të rejave të fundit. Kështu i mbetej kazani…

Ne miqtë, ia njihnim vështirësitë dhe orvateshim t’i gjendeshim, po ai refuzonte.

Një herë desha t’i falja diçka, po u ndjeva keq kur m’u kthye:

“L’moshën e ndajnë të pasunit në raste festash, gëzimesh apo hidhnimesh për f’mijët jetimë, vejushat, të dobëtit, sakatët, të vobektët, po njitu jena të tan’ të tillë or mik!”

Ashtu ishim vërtet, por edhe ne kishim sajuar metoda origjinale: organizonim një sofër bukë kur na vinte familja dhe në krye ulnim krenarët si Zefi.

Në të ri iu përkushtua karrierës dhe çështjes kombëtare. Më pas e arrestuan dhe e dënuan dhe më pas ende, e liruan, por e arrestuan sërish, ndaj s’mundi të krijonte familje. Gjithë dashurinë për fëmijët e munguar e hodhi te bashkëvuajtësit”.

Skeda e dënimeve të Zef Ashtës, publikuar nga Kastriot Dervishi:

Dënimi i parë

U arrestua më 26.11.1946. Gjykimi iu bë së bashku me personalitete të tjera që banonin në Shkodër si: Xhemal Naipi, Shaqir Omari, Shefqet Muka, Ismail Muhaj, Bep Negri dhe Nexhat Boriçi. Sulmoheshin me akuza kontradiktore, por themelisht si kundërshtarë të regjimit. Ashta herë fajësohej si ushtarak e herë si anëtar i Ballit Kombëtar. Mbi të rëndonte akuza e stërvitjes së forcave të Ballit Kombëtar që do luftonin “kundra partizanëve të popullit jugosllav”, mbështetur në nenet e ligjit nr.372. U gjykua nga Gjykata Ushtarake e Zonës Ushtarake Shkodër. Me vendimin datës 23.6.1947 gjykata i deklaroi fajtorë dhe fillimisht i dënoi me vdekje (iu kthye dënimi me burgim), ndërsa Z.Ashtën me 10 vjet dhe N.Boriçin 15 vjet burgim. U lirua nga burgu më 30.8.1951.

Dënimi i dytë

Dy vjet pasi ishte liruar nga burgu, u arrestua sërish më 19.3.1953. Akuzohej me nenet 72, 74, 226 të Kodit Penal, se nga viti 1949 kur vuante dënimin, kishte biseduar me persona të tjerë për organizimin e vlefshëm për të ardhmen, duke shtuar radhët e “organizatës fashiste të Ballit Kombëtar”. Veprimtarinë thuhej se kish vazhduar edhe pas daljes nga burgu. Quhej fajtor për dëgjimin e radiove të huaja perëndimore, prej të cilave bënte “propagandë luftë”. Në mënyrë qesharake akuzohej se kjo do i sillte dëme paqes në botë dhe socializmit në përgjithësi. Po ashtu thuhej se kishte marrë një ftesë për t’u arratisur me një shok e këtë nuk e kish denoncuar. Gjykata Popullore e Shkodrës e përbërë me vendimin nr.311, datë datë 26.8.1953, e deklaroi fajtor në bazë të neneve të sipërme dhe e dënoi me 14 vjet burgim. Pasuria nuk i konfiskohej sepse nuk kishte. U lirua më 7.2.1964.

Dënimi i tretë e vdekja në Spaç

Disa muaj pas lirimit nga dënimi i dytë, Zef Ashta u arrestua prapë më 28.7.1965. Akuzohej se së bashku me ish bashkëvuajtësin Gjeto Ramën kishin bërë përpjekje për arratisje, por u kapën nga forcat kufitare në postën e Muriqanit. Gjykata i konsideroi se ishin “elementë me mbeturina të theksuara mikroborgjeze” që “villnin vrer kundër pushtetit popullor”. Vepra e tyre konsiderohej me “rrezikshmëri të madhe shoqërore” sepse “ndihmonte veprimtarinë e armiqve” të jashtëm. Gjykata e Qarkut Shkodër e përbërë, me vendimin nr.30, datë 8.10.1965 i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 64/10 të Kodit Penal dhe i dënoi të dy me 17 vjet burgim. Në vitin 1973 Zef Ashta u kërkua të ridënohej në revoltën e Spaçit, por për mungesë provash u lirua nga akuzat. Pas disa vitesh, vdiq në këtë kamp më 5.6.1979./Kujto.al