Përulemi para teje Margarita Xhepa
Nga Leonard Veizi
Ajo është monument i gjallë. Dhe qëndron e ulur në fronin e artë. Në dorë nuk mban skeptërin e mbretëreshës dhe as kurorë me diamante nuk vendos mbi kokë. Titujt shkresorë, me vulë e firmë nuk mund t’i mbajë dot në çantën e dorës, por ata verbalë të hedhur në eter mbulojnë qenien e saj.
Ajo është Margarita.
Sot “Nderi i Kombit” dhe dje “Artiste e Popullit”. Më parë se kaq shumë më e thjeshtë edhe pse artiste e madhe. Sot po aq e thjeshtë edhe pse qëndron në apogje. E gjitha kjo është ajo me çfarë është shpërblyer për punën e saj të jashtëzakonshme. Sepse ka ndërtuar jo pak, por thuajse 200 karaktere. Prej tyre, 150 të ngjitura në skenën e teatrit dhe 32 të tjera kanë mbetur në pelikulën e kinemasë.
Ajo është Margarita.
Në teatër do të luante një gamë shumë të gjerë rolesh, që niste nga Ofelia e tragjedisë shekspiriane “Hamleti” për të shkuar tek Zonja plakë e Vranajve interpretuar në “Kush e solli Doruntinën”, të Kadaresë.
Dhe ajo mbetet gjithmonë Margarita.
Çdo 2 prill ajo ka ditën e lindjes. Sepe lindi në vitin e largët 1934. Por vitet nuk kanë më rëndësi. Ato, si një hologramë hapësinore, nuk mund ta rrisnin më shumë nga sa është.
Ndaj vazhdon të jetë Margarita.
Ishte viti 1950 dhe ajo vetëm 16 vjeç kur u ngjit në skenë, njëkohësisht vazhdonte dhe studimet në Liceun Artistik. Ndërsa karrierën në kinema do ta niste në vitin 1966 me rolin e Zyrakës në filmin “Vitet e para” të regjisorit Kristaq Dhamo.
-Nuk e kuptoj, i plagosur, i dërmuar dhe tani natë e ditë rrobtohesh në punë. E çfarë lumturie është kjo? Jeta do shijuar Stavri.
Do të vazhdonte si Violeta tek filmi “Gjurma” gruaja e doktorit që rrinte në shtëpi dhe mendonte vetëm për modën. E më pas si Sandra tek “Tokë e përgjakur” që lindi duke mbjellë arën, se burri kishte marrë pendën e qeve me qira te Maksut Beu.
S’është turp të gëzohesh o bir! Të ma gëzosh tokën! E kemi larë me gjak të uruarën. Këtu më ke lindur or bir. Dhe për këtë tokë s’është më yt atë.
Margarita ishte universale, sepse po aq sa mund të luante një zonjë të rëndë e plot hijeshi, po aq futej dhe në lëkurën e një fshatareje të rëndomtë që ecte këmbëzbathur nëpër rrugicat e fshatit.
Sepse është si gjithmonë Margarita.
Ajo ishte nënë Katja tek “Pylli i lirisë” që shtëpinë ia dogji Ibrahim Beu, por dhe Shanoja tek “Dimri i fundit” që kërkonte t’ia kalonte ujët nën rrogoz gjermanëve të Vermahtit.
-Po hë moj Shano ndaje llafin!
-Po sikur të vemi fshaçe për dru…
E megjithatë shkëlqeu më së shumti si Eleni Jankollari e veshur alla frënga në një mjedis otoman, e që luante me pianon Hartman.
-Po ç’e mirë u ka sjellë në këto baltra?
-Kënga moj nënë, kënga.
Ndryshimi në karakteret e roleve ishin nga nëna fshatare e Beles tek “Dollia e dasmës sime” tek zonja e prefekt Krisithonit interpretuar në filmin “Gjeneral gramafoni”.
-Uhhh, u dalldis fukaraja.
-Muzika zonjë.
Por Margarita Xhepa ishte aktore që i ka dhënë një fytyrë reale e shumëdimensionale nënës shqiptare: sepse ishte nëna e Gonit tek filmi “Me hapin e shokëve”, nëna e Gencit tek filmi “Shokët”. Por është shumë më tepër tek ndihej si nëna e Besimit tek “Dora e ngrohtë”:
-Ju keni të drejtë profesor. Kohët e fundit është mbyllur në vetvete. E pyes, i flas… nuk më përgjigjet. Ju e dini që ai nuk e ka dhe aq të lehtë në këtë shtëpi.
Në gamën e gjerë të roleve të saj ajo ishte dhe nëna e Visar Shundos tek “Militanti”, nëna e Irenës tek “Pranvera s’erdhi vetëm”, nëna e Arturit tek “Apasionata” që i thoshte të shoqit: Epo Instituti nuk i lë në mes të rrugës. Por sërish dallon me karakterin që i ka dhënë nënës së Nerënxës, Helenës dhe e xhambazit Dhoskë që dinte të bënte pazar me fatin e motrave të tij, tek filmi “Vitet e pritjes”.
-Moj po kujt i flet kështu ti ta marrim vesh? Kujt i kërkon hesap? E di që jam nëna jote apo s’e di? Në moshën tënde ne s’bënim gëg kur na dilte fati. Të ishte gjallë yt atë e të të shihte si të hazdisur do ta këpuste kokën si të zogut.
Po aq shkëlqeu dhe si nëna e Harunit tek filmi “I dashur armik” të regjisorit Gjergj Xhuvani.
-Thotë se e ka vrarë për qejf.
-Të vret të keqen nëna, të vret gjermani edhe për qejf… Po jepja dreqit e të thyejë qafën.
Ajo është mësuesja autoritare tek filmi “Gabimi”. Por si mësuese Kristina tek filmi një “Një djalë edhe një vajzë” ishte dhe e sertë:
-Anila përse nuk e solle prindin? Hajde vajzë e mbarë dil jashtë. Askush nuk ka të drejtë të thyejë urdhrin e drejtorit. Përjashta! Ikën nga mësimi dhe tani të vjen turp t’u thuash prindërve se ku ke qenë.
Por ajo ishte dhe Kristulla tek filmi “Misioni përtej detit”, një grua e bukur greke e dashuruar me një burrë shqiptar, të cilin po e kërkonin për ta vrarë si tradhtar.
-Kapedan Llambros, ç’bëhet kështu? Të kam pritur fëmijët e djalit. Më thuaj çfarë ka bërë Vasilikosi? Ai është i pafajshëm.
Dhe një tjetër rol shumë domethënës i saj ishte ai i Elisabetës, tek filmi “Ne dhe Lenini”, rol të cilin ia besoi regjisori Saimir Kumbaro.
Dhe duket sikur rolet e saj nuk mbarojnë asnjëherë. Ato marrin vazhdimisht dimension në çdo transmetim. Ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë si një monument i gjallë, aty në fronin e saj të artë./vjosa.net
No Comment! Be the first one.