Mjeku që bashkë me recetën, u jepte pacientëve edhe lekët për ilaçe
Prof. Dr. Shefqet Ndroqi, figurë e shquar e mjekësisë dhe pedagogjisë së shkencave mjekësore shqiptare
Nga Prof. Dr. Xheladin Çeka
Shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha, në vlerësimin e librit “Gjeneza e fisit Ndroqi”, të Igli Gugashi-Ndroqi ndër të tjera shprehet: “…Kushdo tjetër, edhe unë, që nuk kam asnjë lidhje farefisnore me fisin e Ndroqëve, ndjehem mirë, sepse vlerat njerëzore u përkasin të gjithëve, ato janë të pashlyeshme dhe ushqejnë dëshirën për t’i gjetur të rilindura kurdoherë, në jetën e fisit, por edhe të të tjerëve…”.
Unë ndjehem edhe dyfish të tjera mirë. Kam patur rastin fatlum ta kem patur pedagogun tim të lëndës së Sëmundjeve të Mushkërive dhe Tuberkulozit, kur isha student në Fakultetin e Mjekësisë. Por dhe për një arsye tjetër: për atë që Prof. Dr. Shefqet Ndroqi, është një nga pinjollët e shquar të fisit Ndroqi, me origjinë pikërisht nga Ndroqi i Tiranës. Ku që nga mesjeta, besoj, deri në fillimvitet e demokracisë në Shqipëri, përfshihej edhe fshati im i lindjes, Peza e Vogël.
Prof. Shefqet Ndroqi lindi në Tiranë, më 21 mars 1912, në një familje patriote qytetare tiranase, bir i një patrioti të shquar. Pas përfundimit të gjimnazit të Tiranës me rezultate të shkëlqyera, ndoqi studimet e larta për mjekësi në Francë, nga viti 1933 deri në vitin 1941. Në vitin 1939 u diplomua mjek në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Sorbonës në Paris. Në prill të vitit 1939 mori pjesë në lëvizjen antifashiste të studentëve shqiptarë, që ndiqnin studimet atje. Më 1939-1940 u caktua mjek intern në Spitalin e Fontenblos, në Shërbimin e sëmundjeve të brendëshme dhe tuberkulozit, ku u specializua për ftiziatri (sëmundjet e tuberkulozit) dhe sëmundje të mushkërive dhe në vitin 1941 mbrojti tezën e doktoraturës në këtë universitet me temë: “Granulacionet patologjike të neutrofileve të njeriut në eksperiment” dhe mori gradën shkencore “Doktor i Universitetit të Parisit” nga Këshilli i Universitetit në Sorbonë. Atje dha dhe provimin e tuberkulozit me specialistë të njohur të fushës, ku mori dëshminë përkatëse, që e lejonte të punojë si mjek në Sanatorium dhe Dispanseri. Ndërkohë kishte marrë dhe diplomën për malarologji në Fakultetin e Mjekësisë të Parisit, nën udhëheqjen e Prof. Brumpt.
Gjatë pushtimit gjerman të Francës dhe “Ekzodit të Madh”, Dr. Ndroqit nga drejtoria e Spitalit të Fontenblos i besohet shpërngulja me dy autobusë e 45 fëmijëve të sëmurë dhe e 25 grave shtazëna, dhe transferimi i tyre nga Parisi për në Perigë në jugperëndim të Francës (rreth 600 km larg Parisit) ku ai tregoi trimëri dhe aftësi të admirueshme. Në atë kohë Prof. Shefqet Ndroqi i kishte të gjitha mundësitë të qëndronte në Francë pas diplomimit, por u kthye në Shqipëri, për t’i shërbyer popullit të vet. Duke prezantuar kështu qytetarin atdhetar dhe patriot njëherësh, që mezi priste të jepte kontributin e tij në profesionin e mjekut, që në atë kohë ishin shumë të pakët në vendin tonë.
Në Spitalin e Tiranës në vitin 1937 funksiononte një repart për sëmundjen e tuberkulozit me 50 shtretër, ndërkohë që fillesat e trajtimit të të sëmurëve me tuberkuloz pulmonar takohen në vitin 1935 nga Dr. Ludovik Kalmari, kur nga Spitali Ushtarak, që ishte vendosur atje ku sot është Spitali Nr. 2, u muar një barakë e ndërtuar midis dy spitaleve, e cila u caktua për të shtruar të sëmurë me tuberkuloz pulmonar. Pas largimit nga Shqipëria të Dr. Ludovik Kalmari në vitin 1938, Shef i Shërbimit të ftiziatrisë u caktua Dr. Petraq Leka dhe në vitin 1941 asistent i tij u caktua Dr. Shefqet Ndroqi. Me të filluar punë si mjek ftiziatër (specialist për sëmundjen e tuberkulozit) në Spitalin Civil të Tiranës, njëherësh Dr. Ndroqi organizoi shërbimin mjekësor edhe për lëvizjen çlirimtare. Në korrik të vitit 1943, sipas vendimit të Këshillit të Mjekëve doli në mal për të ndihmuar direkt në fushën e bejetës luftën kundër okupacionit fashist. Merr pjesë në betejat e Qafë-Shtamës dhe në mjekimin e luftëtarëve të plagosur në luftën e Liqeneve të Gërmanit, të Zall Gërmanit, të Kurdarisë dhe të Krujës. Në dhjetor të vitit 1943 u kthye ilegalisht në Tiranë. Në periudhën tetor 1944 – shkurt 1945 u caktua mjek në brigadën XVIII në Spitalin partizan të Peshkopisë. Në Dibër të Madhe kishte shpërthyer tifoja ekzantematike, të cilën Prof. Ndroqi e luftoi me sukses. Në vitin 1945, u caktua Shef i repartit infektiv dhe tuberkulozit në Spitalin Ushtarak, ku kishte asistent Vaskë Mokin.
Në shtator të vitit 1945 hapi repartin e ri për tuberkulozin në kodrën e Fuat Beut me 75 shtretër, si bërthamë e Sanatoriumit të ardhëshëm të Tiranës, si dhe një repart në Voskopojë me 100 shtretër për të sëmurët tuberkularë të stabilizuar, që mund të trajtoheshin me kimioterapi. Në vitin 1947 u transferua në Spitalin Civil të Tiranës, si shef i Repartit të Ftiziatrisë (të sëmundjeve të tuberkulozit) dhe po atë vit, me inisiativën e tij hapi dhe organizoi Dispanserinë Antituberkulare në Tiranë me 30 shtretër, ku punonte vullnetarisht deri natën vonë.
Në mars të vitit 1948, sipas argumentimeve dhe insistimit të tij, u ngrit Sanatoriumi i Tiranës, ku Prof. Shefqet Ndroqi emërohet drejtor i parë i këtij institucioni, me 210 shtretër. Më 1950, ngriti Dispanserinë e Durrësit. Pas vitit 1950, me shtimin e mjekëve të emëruar në këto institucione, organizoi specializimin e tyre për sëmundjet e tuberkulozit dhe sëmundjet e mushërive. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kreu ndërhyrje të ndryshme të domosdosme kirurgjikale të të gjitha llojeve në mushkëri. Prof. Shefqet Nroqi pa qenë kirurg u bë kirurg, duke u specializuar me Dr. Frederik Shirokën, një talent tjetër i rrallë i kirurgjisë shqiptare, që fatkeqësisht jetoi pak, dhe më pas ngriti Repartin e Kirurgjisë Torakale me 110 shtretër. Në vitin 1953 ishte shef i repartit të Ftiziatrisë dhe Kirurgjisë Torakale. Më 1955 u emërua pedagogu i parë i lëndës së Tuberkulozit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe me meritën e tij, hapi klinikën e parë të Tuberkulozit në Fakultetin e Mjekësisë. Me çeljen e Institutit të Lartë Mjekësor në vitin 1952 në Shqipëri, pjesën më të madhe të katedrave dhe klinikave, i hapën pedagogë që kishin ardhur nga fakultete apo institute mjekësore të B.S. Një pjesë e vogël e tyre u hapën nga mjekë shqiptarë që kishin studiuar në Perëndim, që para Luftës së Dytë Botërore. Ndër ta ishte dhe Prof. Dr. Shefqet Ndroqi, i cili hapi lëndën e Tuberkulozit, në përbërje të Pneumologjisë dhe Ftiziatrisë, pjesë e lëndës së Terapisë së Fakultetit që zhvillohej në vitin IV të studimeve të larta për Mjekësi, mbi bazën e klinikës së Tuberkulozit. Në vitin 1965 iu dha titulli Docent dhe në vitin 1970 Profesor. Prof. Shefqet Ndroqi ka drejtuar klinikën e tuberkulozit që nga themelimi i saj (1966) derisa doli në pension. Edhe pas kësaj kohe vazhdonte të bënte konsulta një herë në javë në klinikën e tuberkulozit deri në vitin 1999. Ai ishte gjithashtu kryetar i KEMP-it epror.
Ja si shprehet Dr. Fatiri Gorica, ish pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë: Prof. Shefqet Ndroqi, “mjeku i të varfërve”, siç e kishte cilësuar populli sepse në klinikën e tij private i bënte vizitat dhe radigrafitë gratis, për ata që ishin të varfër, madje u jepte atyre bashkë me recetën edhe lekët për të blerë ilaçet, gjë që nuk kam dëgjuar ta ketë bërë ndonjë mjek tjetër. Nuk kursehej për asnjë të sëmurë që i kërkonte ndihmë.
“Më pikonte në shpirt” kur shihja Profesorin të shkruante recetën dhe dy gishtërinjtë e dorës i kishte të “cunguar”. Kur u rrita dhe studiova për mjekësi, kuptova arsyen e këtij “cungimi”. Ishte efekti i rrezatimit të fuqishëm, ngaqë Profesori i bënte vetë radioskopitë dhe radiografitë, me dhjetra çdo ditë. Në fakt, Prof. Ndroqi që kur ishte fëmijë kishte vuajtur mga skrofulladerma dhe puna me rreze Röntgen e bëri që të sëmuret nga radiodermiti i gishtave të duarve për të cilat u operua dy herë (1966 dhe 1989), pasuar me aputim të një gishti. Me një punë kolosale, Prof. Ndroqi, së bashku me ekipin e tij, mundën të çrrënjosnin tuberkulozin në Shqipëri, këtë sëmundje shumë të përhapur tek ne, që kishte zhdukur familje të tëra.
Shpresa Kryemadhi, një zonjë me origjinë nga Ndroqi, banore e Tiranës tregon: “…Kujtoj kohën kur isha fëmijë. E ëma e një njeriut tonë të afërt, ishte shumë e sëmurë. Më kujtohet që Prof. Ndroqi e pyeti: – Nga je ti moj zonjë? – Nga Ndroqi, doktor, – i përgjigjet zonja. – Po ç’do ti që vjen te doktori?! Ç’do që vjen këtu tek unë për vizitë atëherë?! Ti e ke “mjekun” atje në Ndroq. Shko moj zonjë atje dhe ha bukë me gjellë të gatuar me vaj ulliri që e keni me hapé dhe do të shohësh që s’ke për të patur më nevojë për të ardhë te mjeku, për të ardhë këtu te unë!” Natyrisht e thënë kjo në formë batute nga Profesori, ishte për t’i treguar asaj efektin e vajit të ullirit dhe të ushqimit në përgjithësi në trajtimin e kësaj sëmundje.
Unë siç u shpreha më lart, kam patur fatin ta kem patur pedagog Prof. Shefqet Ndroqin. I kujtoj shumë mirë leksionet shumë shkencorë dhe metodikë. Kujtoj mirë që Profesori kurdoherë na e konkretizonte mësimin me raste klinike, nga rastet praktike të pafundme të tij. Na interpretonte grafi të pacientëve të ndryshëm me sëmundje të mushkërive, për të na e lehtësuar të kuptuarit e procesit mësimor sa më shumë. Kujtoj shumë mirë të folurën e tij, ndonëse shumë korrekte dhe kuptueshëm, të saktë e shpjeguese, por me një prirje drejt tirançes së bukur që sikur këndonte në ligjërimin e Profesorit.
Prof. Shefqet Ndroqi ka kryer disa qindra mijë depistime aktive fluorografike në Tropojë (1959), Peshkopi (1961), Mat, Mirditë, Pogradec e Malësi e Tiranës (1970) etj. Punimet origjinale të Prof. Ndroqit arrijnë në rreth 5 000 faqe të daktilografuara, që janë pasqyruar në 63 botime kryesore, pa llogaritur këtu shumë artikuj dhe referate shkencore me rëndësi, që kanë mbetur të pabotuar. Prof. Ndroqi është autor i 5 librave për tuberkulozin dhe sëmundjet e mushkërive; artikuj problemorë me një numër të madh rastesh, si: “Operacionet e pneumotoraksit eksperimental në Sanatorium” (me 178 raste), “Mbi kurën kundër tuberkulozit me izoniacid” (me 320 raste), studim ky ndër artikujt e parë të botuar në vendet e Lindjes për këtë problem (1953), “Mbi rezultatet e kurimit të meningitit tuberkular në Sanatorium”, “Konsiderata të përgjithëshme rreth studimit të TBC-së në Shqipëri”, “Të organizojmë më mirë luftën antituberkulare në fshat”, ‘Mbi mortalitetin nga TBC në Shqipëri”, ‘Rezultatet e një depistimi të tuberkulozit në rrethin e Peshkopisë” (me mbi 10 000 raste).
Prof. Shefqet Ndroqi ishte nismëtari dhe realizuesi i punës së gjithanëshme për organizimin e profilaksisë në dispanseritë e sëmundjve të mushkërive, duke filluar që nga kartelizimi, diagnostikimi e kurimi ambulator, profilaksia dhe vaksinimi e deri te depistimet fluorografike për tuberkulozin në Shqipëri, që u përmbyll në vitin 1989 me fushatën e organizuar prej tij: “Të mos harrojmë tuberkulozin” dhe botimin me të njëjtin titull. Prof. Ndroqi që në vitet 1990-1993, ngriti problemet për SIDA-n kur ende në Shqipëri nuk ishin diagnostkuar rastet e para, për drogën, prostitucionin dhe korrupsionin.
Dr. Shefqet Ndroqi ka marrë titullin Profesor. Është dekoruar me urdhërin “Flamuri i Kuq i Punës” i Klasit të Parë, ‘Mësues i Popullit” dhe titullin ‘Qytetar Nderi i Tiranës”. Është propozuar nga Bashkia e qytetit Fontenblo për titullin e lartë të “Legjionit të Nderit” të Francës dhe i është akorduar medalja “Kalorës i Urdhërit të Palmës Akademike” të Francës. Për një kohë ka qenë Kryetar i shoqatës “Tirana” dhe President Nderi i saj, si dhe President i Shoqatës së Shqipërisë së Mesme. Ka kontribuar në aktivitete të shumta shoqërore dhe patriotike.
Për të gjithë këto aktivitete, veprës shumëplanëshe dhe eksperiencës unikale profesionale, me motivacionin “Personalitetit të shquar të mjekësisë, njeriut human, mjekut të nderuar të popullit, shkencëtarit dhe pedagogut që me veprimtarinë e gjërë e të shumëanëshme u bë një ndër themeluesit dhe organizatorët e mjekësisë moderne shqiptare” iu akordua nga presidenti i Republikës, Bamir Topi urdhëri i lartë “Nderi i Kombit” në janar 2012. Në vitin 1999 merr titullin “Doctor Honoris Causa” i UT. Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive iu dha emri “Shefqet Ndroqi”, si qendër e rëndësishme e shërbimit terciar multidisilinar.
Ndërroi jetë më 23 shkurt 2001 dhe u varros i përcjellë me nderim nga i gjithë populli i Tiranës, nga personeli i Sanatoriumit të Tiranës, Fakultetit të Mjekësisë e më gjërë.
Falënderim, respekt dhe mirënjohje për Profesorin tim të talentuar!