20 shkurti i 1991-shit, 34 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha
Si sot 34 vite më parë u rrëzua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha, i cili kishte mbajtur nën sundim për 50 vjet popullin shqiptar, për të mbetur në histori si një ndër diktatorët më të egër ndaj popullit të tij, në historinë e Evropës.
Më 20 shkurt 1991, populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të rrëzuar shtatoren e diktatorit Enver Hoxha.
Kjo ngjarje erdhi pas zhvillimeve të rëndësishme politike që kishin ndodhur në dhjetor 1990 kur përmes protestave studentore të pasuara nga protesta e shumicës së shqiptarëve, u rrëzua sistemi komunist.
Shpallja e pluralizmit politik, në dhjetor të vitit 1990, u pasua me themelimin e partive politike, të cilat përgatiteshin për të hyrë në garën e të parave zgjedhje pluraliste në Shqipëri, pas sundimit 45-vjeçar të diktaturës komuniste.
Ditët e dhjetorit ‘90 dhe ato të muajve të parë të vitit 1991, ishin të ngjeshura me ngjarje mjaft të rëndësishme. Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti me 23 dhjetor 1990. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuarish për arsye politike.
Kuvendi Popullor doli me një dekret më 23 janar 1991 që parashikonte respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simbolet shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës.
Sipas dekretit, dënohej me 6 muaj deri në tri vjet burg ai shtetas që dhunonte monumente kulture, siç ata i quanin bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha.
Por kjo nuk i ndaloi mijëra studentë e qytetarë që të ngriheshin për të shembur simbolin e komunizmit, bustin e Enver Hoxhës