77 vite më parë lindi aktori i humorit Vasillaq Vangjeli (1948-2011), nderim dhe respekt për figurën e tij
Vasilaq Vangjeli (1948-2011). Aktor. Lindi në Peshkopi, më 19 shkurt.
Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës, më 1976. Ka punuar si regjisor në këtë teatër në vitet 1976-1982. Ka luajtur mbi 300 role në komedi të shkurtra, skeçe, monologë dhe spikati veçanërisht në llojin e kupletit dhe të parodisë.
Kishte një zë të këndshëm, aftësi muzikore, i binte instrumentit të fizarmonikës, cilësi që e kanë ndihmuar për një prani aktoriale sa më aktive në njëmendësimin me hijeshi të shumë parodive dhe kupleteve. Ka interpretuar po ashtu mbi 15 role në filma artistikë dhe telefilma.
Bëri zë qysh herët me rolin e skulptorit spekulant, Koçit, në komedinë e Ruzhdi Pulahës “Zonja nga qyteti”, 1976, sikurse edhe në filmin me po këtë titull, ku shëmbëlleu në pamje groteske dhe me një tallje të hapur tipin ekscentrik e të budallallepsur, kinse artistin e madh, pretendentin komik e të papërshtatshëm për t’u fejuar me Melin, bijën e Ollgës.
Në vitet 1992-1993 krijoi një nga figurat më mbresëlënëse, atë të komandantit, në komedinë dhe më pas në telefilmin me dy seri “Gjuetia e fundit”, skenari dhe regjia nga Koço Devole. Shpotia e tij ndaj figurës së diktatorit komunist, Enver Hoxhës, ishte e besueshme, paçka se e paraqitur në rrafshe groteske si dhe falë një qëndrimi sarkastik të natyrës sfiduese e përtallëse.
Në telekomedinë “Dashi pa brirë” (regjisor Arian Çuliqi, 1993), luajti me një humor të shpenguar rolin e pijanecit, ku ra në sy për mbarë përshtatshmëria e bukur e të sjellurit ndaj figurës, njëmendësia psikofizike kundruall saj.
Në rrafshe po aq sarkastike i ka mishëruar ai edhe disa role të tjera të goditura, të luajtura në skenën e estradës apo në telefilma, si hetuesi tek “Revolja e humbur” (1995), doktori tek “Çanta e zezë” (1996), i treti tek “Oreksi i madh” (1996), regjisor Koço Devole.
Është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”, Klasi I. Ndahet nga jeta në moshën 63 vjeçare në shtator 2011.

Teksti përshkrues është marrë nga Libri i autorit Josif Papagjoni, titulluar “Enciklopedi Teatri & Kinematografia Shqiptare” (Botimet “TOENA” 2009).