Dhora Leka (Korçë, 23 shkurt 1923 – Tiranë, 27 dhjetor 2006) është kompozitore shqiptare.
Autore në vitet 40 e këngëve të njohura partizane, “Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë”, “Rini, rini”, “Që nga gjokset djaloshare”, dhe më pas e operës “Një jetë me stuhi” sipas një romani të Ali Abdihoxhës.
Pas studimeve në Konservatorin “Pjotër Iliç Çajkovski” në Moskë të Bashkimit Sovjetik (1948-53) u emërua pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe u zgjodh sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ka qenë e martuar për një periudhë të shkurtër me kompozitorin Çesk Zadeja.
Më 1956 u përjashtua nga Partia dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve gjatë spastrimeve kundër simpatizantëve të Bashkimit Sovjetik post-stalinist dhe u dënua me 25 vjet burg. U lirua në vitin 1963 dhe në vitin 1991 u vendos në Tiranë pas një periudhe të gjatë internimesh në zonat e Beratit, Lushnjës dhe Fierit.
Në nëntor 1992 iu dha titulli “Artiste e Popullit”. Në shkurt 1996 themeloi fondacionin “Dhora Leka”, i cili ka si qëllim të mbështesë krijuesit, veprimtaritë muzikore dhe talentet e reja.
Emrin e Lekës e mban një shkollë 9-vjeçare në Laprakë të Tiranës. Në vitin 1998 botoi një përmbledhje poezish, “Këngë në shtrëngatë.”