“Në Vetërrethim”/ Jorgji Kote: Çfarë nuk thuhet për turistët që vizitonin Shqipërinë. “Misioni” i tyre dhe si i “ndiqte” regjimi…
Në librin e tij “Në Vetërrethim” të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji KOTE, Mjeshtër i Madh, ka përshkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive (m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe.
Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albania” (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.
Redaksia e BalkanWeb po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990.
Sot po vazhdojmë me kreun mbi mini-turizmin politik.
Mini-Turizëm politik
Gjatë viteve 1960 – 1990 në vendin tonë nuk kishte turizëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe pse kushtet për zhvillimin e tij, madje për një turizëm elitar ishin të mrekullueshme, sidomos po të kishe parasysh bregdetin tonë vërtet të virgjër. Turizmi mund të ishte padyshim burimi kryesor i të ardhurave dhe zhvillimit të vendit. Por ai ishte i ndaluar mbasi sipas ideologjisë së asaj kohe, ai çonte në prishjen e moralit dhe në “degjenerim borgjezo – revizionist”. Ngjarjet e vitit 1973 me “luftën kundër liberalizmit borgjez” i dhanë fund edhe shpresës për një turizëm të vërtetë. Për pasojë, në atë kohë dhe deri në vitet 90 kishte vetëm një turizëm në miniaturë nga ana sasiore dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar përsa i përket cilësisë. Mbi të gjitha, me ndonjë përjashtim shumë të rallë, ai ishte turizëm ideologjik dhe partiak.
Qendra kryesore e këtij turizmi ishte padyshim Durrësi, ose me saktë, qendra e pushimeve turistike për të huajt “ALBTURIST”, ku bashkë me shokë dhe kolegë të tjerë pata rastin të shërbeja për disa sezone verore gjatë periudhës së viteve 1973 – 1978, si guidë apo përkthyes me turistë nga vende të ndryshme. Ishte dhe hera e parë që kapërceja rrethimin e sajuar, natyrisht me aq sa e lejonte vendi dhe koha.
Gjatë kësaj kohe kam patur rastin të shoqëroja turistë nga shumë vende europiane – skandinavë, britanikë, gjermanë dhe më pak holandezë; kryesisht përkthenim me grupe të shoqatave të miqësisë dhe të rinjsh simpatizantë të partive komuniste, të cilët, me të ardhura minimale vinin për t’u freskuar, por kryesisht për të mësuar e për t’u frymëzuar nga ideologjia dhe arritjet e Shqipërisë socialiste. Kemi shoqëruar gjithashtu edhe turistë britanikë, të cilët bënin përjashtim nga të tjerët, pasi nuk kishin të bënin me socializmin, kishin mirëqënie mjaft më të mirë dhe vizitonin vendin tonë thjesht nga kurioziteti; ndaj, këta të fundit akomodoheshin në Hotel “Adriatik”, më i miri në atë kohë pas “Dajtit” emblematik.
Ky lloj turizmi shërbente edhe për të krijuar idenë që megjithëse të rrethuar nga imperialisto-revizionistë, ne nuk ishim vetëm, sepse kishim plot miq dhe dashamirës në të katër anët e ruzullit. Në shumë vende të botës funksiononin Shoqatat e Miqësisë Shqipëri me Vendet e Huaja.
Për këtë, kishte një Komitet të Marrëdhënieve Miqësore e Kulturore me Botën e Jashtme, e cila në fakt ishte drejtori e MPJ-së, por që në pamje të jashtme krijonte përshtypjen e një institucioni të pavarur e kulturor. Në krye të tij kanë qenë personalitete të kulturës dhe diplomacisë sonë, si Javer Malo, Misto Treska, etj. Shumica e këtyre shoqatave jashtë vendit ishin nën ndikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Partive Komuniste m – l, për të cilat do të flasim hollësisht më poshtë. Nga ana e tyre këto parti kishin një numër, edhe pse fare të kufizuar njerëzish, qoftë dhe familjarë të tyre, që pse jo, e simpatizonin vendin tonë dhe “socializmin real” Për më tepër se në atë kohë, Shqipëria pretendonte të ishte vendi i vetëm i vërtetë socialist në botë! Ishte pikërisht ky “turizëm politik” që përbënte bazën e zhvillimit të turizmit shqiptar të tyre viteve.
Enti që merrej me aspektet teknike të turizmit në fillim të viteve ’60, ishte Ndërmarrja Shtetërore “ ALBTURIST”, në vartësi të Ish-Ministrisë së Tregtisë, e cila kishte degët e saj në të gjitha rrethet. Në fillim të viteve ’60, në plazhin e Durrësit ishte ndërtuar qendra kryesore e pritjes dhe akomodimit të turistëve të huaj, me Hotel “Adriatikun” në mes, i specializuar për turistët “borgjezë”, d.m.th “pasanikët”; kishte dhe 4 hotele të tjera të një cilësie mjaft më inferiore, por të përshtatshme për turizëm masiv – Hotel “Durrësi,” “Butrinti”, “Kruja” dhe “Apollonia”.
Gjithashtu, në fillim të viteve ’70, në qytetet kryesore të vendit, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Korçë, Gjirokastër, etj., u ndërtuan hotele të reja turizmi. Kishte mjaft muzeume dhe parqe kombëtare që vizitoheshin me interes nga të huajt. Ishin përgatitur disa guida cilësore për kohën me të dhëna për vendin tonë.
Kësisoj, Albturizmi, në bashkëpunim me Shoqatat e Miqësisë por dhe institucione të tjera të rëndësishme bënte Kontratat përkatëse për ardhjen në vendin tonë të grupeve të ndryshme turistike, pasi turizmi individual ishte absolutisht i ndaluar. Meqenëse vetë Albturisti kishte vetëm dy – tre përkthyes, gjatë sezonit të verës ose dhe në raste të tjera ai kërkonte përkthyes studentë, pa pagesë, por me ushqim dhe fjetje të garantuar. Vite më vonë, kur pashë kushtet e përkthyesve të shoqërive turistike, përfitimet e tyre, ndjeva shumë keqardhje për gjithë atë mund dhe sakrificë të madhe dhe pa pagesë. Por, siç përmenda më sipër, në të kohë, ne nuk pyesnim shumë për lekë, se sa për nderin dhe privilegjin për të qenë përkthyes. Të ishe në atë kohë përkthyes me turistë ishte diçka vërtet shumë e këndshme, sidomos po të mendoje se në atë kohë shumë prej nesh ishim të detyruar të bënim në verë punë nga më të ndryshmet, në bujqësi, ndërtim, kamarierë, etj, për të nxjerrë ndonjë lek për vitin e ardhshëm shkollor. Aq më tepër, po të kemi parasysh fukarallëkun në shtëpitë tona, ushqimin e dobët, apartamentet fare modeste ku dhe larja bëhej me kovë; veç avantazheve të tjera, sepse do të ishim me të huaj, do të praktikonim anglishten, do të fitonim përvojë, do të krijonim njohje dhe emër e kështu me radhë.
Të favorizuar dhe nga tarifat tejet të lira të turizmit në atë kohë në Shqipëri, vendet e bukura dhe sidomos bregdeti i virgjër, duke pretenduar të ishim “vendi i vetëm i vërtetë socialist” në Evropë dhe për të mësuar nga përvoja jonë, ata vinin me grupe të organizuara dhe zakonisht rrinin 10 – 15 ditë. Nuk jam në gjendje të jap një shifër të saktë, por mesatarisht çdo vit mund të bëheshin rreth 10 – 15.000 turistë që qëndronin për 10 – 15 ditë. Një burim i ndjeshëm të ardhurash për atë kohë, krahas imazhit. Imagjinoni grupe turistësh që shkonin në qytetet kryesore të Shqipërisë, madje me flamurë dhe parrulla revolucionare, që këndonin edhe këngë revolucionare e që përshëndesnin në shqip! Çfarë koperturë jo pa efekt efektive për opinionin publik! Por, dukej qartë se ai ishte turizëm me motive politike. Sebepi ishte plazhi, vera dhe freskllëku i Adriatikut. “Turistët” ishin porositur që të mësonin sa më shumë nga Shqipëria në të gjitha drejtimet nëpërmjet një programi tejet tematik. Sidomos eskursionet një, dy dhe tre ditore në Berat, Shkodër, Krujë, Lezhë, Tiranë, Korçë, Gjirokastër dhe Sarandë.
Ndaj dhe qëndrimi i tyre, e për pasojë dhe i yni, si përkthyes në det ishte mjaft i kufizuar, pasi ditët e qëndrimit të këtyre grupeve që ishin të ngjeshura me vizita nëpër rrethe, ferma, kooperativa bujqësore, ndërmarrje industriale, kopshte, çerdhe, shkolla, aksione rinie, madje dhe me tema e leksione të ndryshme mbi politikën, ekonominë dhe rininë shqiptare. Këto të fundit mbaheshin nga lektorë të njohur e nga më të mirët të asaj kohe. Këto biseda zgjasnin, megjithë vapën edhe 5 orë, për shkak të kureshtjes së madhe dhe dhjetëra pyetjeve interesante, që shpesh profesorët dhe ekspertët tanë e kishin të vështirë t’u përgjigjeshin, jo për fajin e tyre. Mbrëmjeve, pas kthimit nga aktivitet dhe vapa, mblidheshim në terracën e Hotel “Apollonia” apo “Kruja”, ku jepeshin shfaqje të përzgjedhura artistike cilësore nga grupet tona më të mira si dhe filma shqiptarë. Të gjitha këto aktivitete duhej t’i përkthenim dhe kjo ishte një punë e lodhshme, e gjatë, por që ne e bënim me shumë dëshirë, edhe pse pa kurfarë shpërblimi.
Praktika me turistë, krahas shoqërimit të delegacioneve ka qenë një shkollë po aq e madhe se fakulteti. Kjo për faktin se me të huajt ushtroheshin mjaft mirë të gjitha komponentët e gjuhës, plus shkathtësisë, zhdërvjelltësisë, saktësisë, stilit dhe deri tek zhanret. Mjaft nga kolegët e mi janë dhe sot përkthyes dhe interpretë të shquar në fushën e përkthimit. Mjaft të tjerë kanë ecur përpara në fusha të tjera.
Turizmi ka qenë për të gjithë ne praktika e parë dhe më e efektshme. Sepse sado shkollë dhe teori të bësh, sado mastera të marrësh, po qe se nuk e praktikon gjuhën dhe sidomos përkthimin, je i dështuar. Por, kjo punë për ne kishte dhe sikletet e veta. Çdo javë na mblidhte Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit, i cili ishte dhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme.
Në këto mbledhje raportohej për incidentet që kishin ndodhur, për raste që dyshoheshin për devijime keqdashëse, për fotografime të padëshiruara, për shkëputje të turistëve të caktuar apo dhe pakënaqësira që ata shprehnin. Ishte moment i pakëndshëm dhe i rëndë për ne, për moshën tonë, kjo dhe për shkak të natyrës tejet të ashpër të zyrtarit të lartpërmendur, edhe pse ai na njihte dhe na respektonte për vlerat që kishim. Ne si përkthyes, edhe pse amatorë, jepnim llogari pse kishin ndodhur gjëra të tilla! Kishte dhe raste që shokë tanë më të avancuar kishin hyrë të ftuar në dhomën e ndonjë turisti e ca më keq të ndonjë turisteje dhe për këtë përjashtoheshin dhe nga shkolla me shumë pasoja.
Natyrisht duke qenë në periudhën e Luftës së Ftohtë, nuk kishte dyshim se dhe agjentura apo keqdashësit bënte punën e vet. Por vetëm se me këtë teprohej. Kishte dhe plot turistë të rinj, të cilët të mësuar në një botë “ të lirë “ që për ne ishte e “degjeneruar “ siç thuhej atëherë, kërkonin thjesht qejf dhe argëtim me shqiptarët. Mirëpo kjo sidomos pas vitit 1973 konsiderohej mëkat i madh dhe të kushtonte shtrenjtë.
Madje për ne, me përjashtim të valleve popullore, nuk lejohej as të kërcenim në terracë me turistët e grupit tonë, me të cilët ishim miqësuar për aq shumë ditë. Shyqyr që ata e kuptonin një gjë të tillë dhe nuk na bezdisnin.
Vite më vonë, gjatë udhëtimeve jashtë vendit, me ka rënë rasti të takohem me ish-turistë të ndryshëm që kam shoqëruar dhe kjo me jepte kënaqësi. Pavarësisht nga ngjarjet, ata dhe shumë të tjerë kanë mbetur dashamirës dhe miq të Shqipërisë. Flasin kudo me pasion për mikpritjen, natyrën magjepëse, muzikën dhe ushqimet e papara “bio” shqiptare. Disa vite më parë në Bruksel lexova në revistën “ Victoire”, suplement i të përditshmes prestigjioze belge “ Le Soir” një rubrikë shkrimesh mbi bukuritë turistike të Shqipërisë.
Në fund të rubrikës tejet pozitive në faqen 29, shkruhej se Gerda Mulder, Drejtoreshë e Muzeut Fotografik të Roterdamit, kishte qenë turiste në Shqipëri qysh në vitin 1973. Pastaj kishte vijuar të vizitonte edhe disa herë të tjera vendin tone pas viteve 90. Zonja Mulder flet edhe për kontrastin e madh ndërmjet turizmit në vitin 1973 dhe atij të ditëve të sotme, investimet e shumta që janë bërë në turizëm nga shteti por dhe nga vetë banorët e zonave turistike. Mbi të gjitha ajo veçon mikpritjen e malësorëve, peisazhet madhështore dhe klimën aq të këndshme! Sa keq më vjen kur mendoj se atëhere ajo dhe turistë të tjerë, kur vinin në Shqipëri, privoheshin nga pasioni i tyre i fotografimit, duke i etiketuar më e pakta si dashakeqë! E pra, megjithëse kanë kaluar gati 40 vjet, Zonja Mulder dhe shumë të tjerë si ajo ishin dhe mbetën miq të popullit tonë!
(BalkanWeb)