Sot mbushen 3 vite që është ndarë nga jeta aktori Xhemil Tagani, e kujtojmë me nderim
Xhemil Tagani (Tiranë, 6 shkurt 1945 – 4 janar, 2021) ka qenë aktor i njohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, në 1967. Pas diplomimit filloi punë si aktor pranë Teatrit Popullor, më 1968. Ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare, ku si më të arrirët përmenden : Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor. U nda nga jeta më 4 janar 2021.
Filmografia
Ngadhënjim mbi vdekjen (1967)
Tokë e përgjakur (1976)… Beu
Taulanti kërkon një motër (1984)…Shoferi
Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)… Kafexhiu
Hije që mbeten pas (1985)….Lamja
Gurët e shtëpisë sime (1985)…….Bilbili
Përrallë nga e kaluara (1987)…… Sotiri, Prifti
Kush është vrasësi (1989)….Lytfi Zhurba