9 Prill 1961 – Ndahet nga jeta në Paris, Ahmet Zogu
64 vite më parë shuhet në kryeqytetin e Francës, Mbreti Zog.
Ahmet Zogu ka qenë ushtarak dhe politikan shqiptar që shërbeu në vitin 1920 si Ministër i Brendshëm dhe më pas mbajti edhe postin e kryeministrit të vendit.
Në vitet 1925 – 1928 ishte Presidenti i Shqipërisë.
Ndërsa në vitet 1928 – 1939, Ahmet Zogu e shpalli veten Mbret të Shqiparëve.
I lindur në gjirin e një oxhaku derebejsh, Zogu qe aktiv në ngjarjet e vendit që në moshë të re. Në krye të matjanëve u nis të ndihmonte qëndresën në mbrojtje të Shkodrës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më tej gjatë Luftës së Parë Botërore luftoi përkrah ushtrisë austro-hungareze që kishte pushtuar dhe administronte një pjesë të territoreve shqiptare.
U syrgjynos prej autoriteteve të tyre ushtarake në Vjenë ku fitoi përvojë. Pas Kongresit të Lushnjes drejtoi ministri dhe iu besua formimi i një kabineti. Në 1924 u dëbua në mërgim pas kthesa demokratike e Lëvizjes së Qershorit. Por u kthye pas gjashtë muajve i mbështetur nga britanikët, jugosllavët dhe një njësi të ushtrisë cariste.
U rivendos kryeministër për pak kohë, më pas u vendos republika i së cilës u caktua president. Më 1928 Shqipëria u shpall mbretëri dhe Zogu mbret i saj. U martua me konteshën Geraldina Appony, së bashku patën një djalë, Lekën.
Pas 1924, me dy paktet e Tiranës varësia fiskale e Shqipërisë ndaj Italisë u rrit duke kushtëzuar disa vendimmarrje të brendshme, por duke lehtësuar presionin e fqinjëve ballkanikë. Më 1928 u miratuan kodet e rëndësishme ligjore për modernizimin dhe laicizimin e shtetit shqiptar.
Përpjekja për shkollimin e të rinjve u rrit, duke themeluar gjimnaze të forta shtetërore si ai i Shkodrës dhe i Tiranës, duke u mundësuar disa bursa për studime kryesisht në Austri, Itali dhe Francë. Kriza e viteve ’30 e ngadalësoi ndjeshëm ecurinë e përpjekjeve modernizuese.
Pas pushtimit italian e shkoi jetën e tij në mërgim, sa në Greqi, Turqi, Angli, Egjipt, Shtetet e Bashkuara dhe Francë ku ndërroi jetë.