MAL BERISHA
Në një atmosferë solemniteti dhe mjedisi të veçantë artistik, salla e Universitetit të Arteve në Tiranë u shndërrua në një tempull të artit lirik, në pritje të një ngjarje të veçantë kulturore: Premierën e operës “Rozafa”. Nga nota e parë deri në të fundit, vepra përcolli ngarkesë të thellë emocionale dhe forcë dramatike. E kompozuar nga David Tukiçi, bazuar në libretin e të ndjerit Fadil Kraja, e shoqëruar me mjeshtëri nga Orkestra e Harqeve të Radio Televizionit Shqiptar nën drejtimin e saktë dhe profesional të dirigjentit Olsi Qinami, ajo e mbajti audiencën “pa frymë” në tërë zhvillimin e saj dramatik, muzikor dhe skenik.
Në një kohë kur arti i vërtetë, ai që përcjell mesazhe të qarta edukative, që pasqyron thelbin e identitetit dhe të qenies sonë kombëtare, po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga forma të zbrazëta të një snobizmi të ashtuquajtur modern, shfaqja e një vepre të tillë si “Rozafa” vjen si një dritë e rrallë në horizontin e kulturës sonë. Dhe këtë dritë e solli një emër që s’ka nevojë për prezantim: David Tukiçi, kompozitor, dirigjent, këngëtar, yll i skenës shqiptare që në fëmijëri dhe mbi të gjitha bir i një familjeje artistësh të mirënjohur.
David Tukiçi, i biri i të paharruarit Ibrahim Tukiçi, dhe vëlla i artistit të njohur Genc Tukiçi, mishëron vazhdimësinë e një trashëgimie të pasur që i ka dhënë artit shqiptar disa nga faqet e tij më të ndritura. E megjithatë, për të folur për veprën dhe jetën e kësaj familjeje të shquar, do të duhej një kapitull më vete. Por sot, le të ndalemi pikërisht këtu – te “Rozafa” – një premierë që ngre lart jo vetëm artin muzikor shqiptar, por vetë frymën tonë kombëtare.
Kjo vepër nuk është thjesht një rrëfim i përcjellë me mjeshtëri në formë muzikore. Është një psherëtimë shekullore që merr formë, zë dhe dritë në skenë. Ajo rikthen përpara syve tanë figurën tronditëse dhe të pavdekshme të Rozafës, gruas që pranon të muroset për të bërë të mundur ngritjen e qytetit, ku është edhe sot kalaja me të njëjtin emër, si dhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar. Ajo është unike në llojin e vet të legjendave, jo vetëm te ne shqiptarët, por ndoshta në tërë botën.
Teksti i Fadil Krajës nuk është vetëm një përshtatje e legjendës, por një lirizëm dramatik i thellë, poetiko-tragjik, që vjen nga thellësia e trojeve tona ilirike, arbërore, shqiptare. Rozafa, në këtë operë, nuk është një martire e heshtur; ajo flet, mendon, dashuron dhe sakrifikon me një ndërgjegje që i kapërcen kufijtë e një legjende popullore. Fjalët e saj nuk janë fjalë lamtumire, por fjalë jete: Të rrojë fëmija, të lulëzojë familja, të qëndrojë qyteti.
David Tukiçi, me gjuhën e tij muzikore të përpunuar dhe të rrënjosur thellë në traditën shqiptare, i jep veprës një frymë të re, të drithërueshme e sublime. Tingujt e saj, që shpesh të kujtojnë legjendën në këngët e bukura shkodrane, nuk janë thjesht melodi, por klithma të historisë dhe këngë shpirti. Rozafa këndon me një zë nënash shekullore, ndërsa kori jehon si zëri i një populli që mban mend dhe e nderon atë – dhe vetë historinë e tij.
Dramaticiteti dhe lirika muzikore ndërtojnë dhe shembin, qetësojnë dhe trazojnë, sikurse bëjnë të gjitha veprat e mëdha që mbartin të vërtetën njerëzore në thelb, ashtu siç i kemi parë në veprat madhështore të kompozitorëve botërorë të kësaj gjinie muzikore.
Në skenë, “Rozafa” shndërrohet në teatër të ndjenjës dhe të simbolit. Muri që ngrihet nuk është vetëm vendosje një mbi një i gurëve, por ndërtim i një identiteti të thellë shqiptar ndër shekuj. Akti i murosjes bëhet akti i rilindjes, e Rozafa, përkundër dhimbjes, ngrihet si figura më e lartë e dashurisë njerëzore. Ajo nuk vdes. Ajo jeton në çdo gur të kalasë, në çdo nënë shqiptare që jep gjithçka për të ardhmen. Ajo jeton edhe sot në Kalanë e Rozafës, në Shkodrën tonë fisnike!
Opera “Rozafa” është më shumë se një ngjarje artistike. Ajo është një testament kulturor, një thirrje për kujtesë dhe një ftesë për bashkim shpirtëror me vlerat më të pastra që kombi ynë mund të mbajë. Ajo është një dëshmi se arti nuk është zbukurim, por themel qenësie, ashtu siç ishte Rozafa për kalanë, dhe opera me emrin e saj për ne që e pamë mbrëmë në sallën e Universitetit të Arteve.
Interpretimi i artistëve të shquar Ardita Meni në rolin e Rozafës dhe i Josif Gjipalit në rolin e bashkëshortit të saj, Ujkanit; Marjana Lekes në rolin e nënës, i Armando Likës në rolin e plakut të urtë, Bledar Domit si vëllai i dytë, bashkëshort i Xhixhës, interpretuar nga Greta Zani, dhe i Jurges Tomorrit në rolin e Sokolit, vëllait të madh, së bashku me Tanën, bashkëshorten e tij, të interpretuar nga Suada Gjergji, në atmosferën mbresëlënëse të krijuar nga kori i studentëve të Universitetit të Arteve, nën drejtimin e mjeshtrit Bujar Alliu, dhe me shoqërimin e Orkestrës së Harqeve të Radio Televizionit Shqiptar, dirigjuar nga Olsi Qinami, me koncertmaestër Ardita Bufaj, solli një premierë që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ne që ishim në atë sallë.
Do ta mbyll këtë shkrim të shkurtër, siç mund ta shprehte vetë David Tukiçi: “Në çdo tingull të kësaj opere, në çdo gur të murit që ngrihet, kam dashur të vendos frymën e nënës shqiptare që ushqen jetën edhe nga thellësia e dhimbjes dhe të vetë qenies tonë shqiptare”. Përgëzimet e mia më të ndjera i dashur David!/Gazeta Panorama