Një arvanitas ka bërë histori në lojërat e para moderne olimpike. Spiridon Luisi i lindur në vitin 1873 dhe i larguar nga jeta në vitin 1940, bënte punën e ujëshitësit në Athinë.
Askush nuk e priste që një ditë të bukur të mbetej në historinë botërore si fitues i maratonës së parë olimpike të vitit 1896.

Më 6 Prill të 1896-s, pas plot 1496 vjetësh ndalese, rifilluan lojërat Olimpike në Athinë. Në vitin e lashtë 393 me urdhër të perandorit romak Teodozio, dyert e stadiumeve olimpike u mbyllën përgjithmonë.
Ndërsa në shekullin e 19-të ishte Europa ajo që kishte nisur rigjallërimin e kulturës së lashtë greke dhe për nder të lojërave të Greqisë së lashtë organizimi i parë iu la Athinës. Kampioni i parë i Lojërave Olimpike ishte studenti amerikan Xhejms Konolli në trehapësh.
Hedhja e diskut, sporti që simbolizonte lashtësinë greke, u fitua nga amerikani Robert Garret. Kjo u përjetua si një ofendim kombëtar nga grekët, por krenarinë e lënduar do t’ua kthente shqiptari Spiridon Luisi që fitoi maratonën.
Grekët krenohen edhe sot e kësaj dite me të, por pas fitores e lanë 30 vjet në hije në fshatin e tij të lindjes. Fama e Spiridonit u rikthye vetëm në vitin në vitin 1936.
Olimpiada e radhës në Berlin rastisi të kishte 40-vjetorin. Ishte e natyrshme që fituesi i Olimpiadës së parë në Greqi Spiridon Luisi të ftohej për të udhëhequr parakalimin e ekipit olimpik grek.
Në ceremoninë e rastit, ai u prit nga Adolf Hitleri, të cilit i dorëzoi degën e ullirit nga kodrat e Olimpias.

Dihet që Hitleri kurrë s’e meritoi këtë degë ulliri që vinte nga Olimpi i lashtë grek.