Më 9 prill 1877, lindi Lef Nosi (1877-1946), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, folklorist, etnograf, numizmat e arkeolog shqiptar.
Elefter Nosi i njohur më së shumti si Lef Nosi (Elbasan, 9 prill 1877 – 13 shkurt 1946) ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, ministër i Postë-Telegrafes (4 dhjetor 1912- 21 shkurt 1914), kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), anëtar i Regjencës (1943 – 1944), folklorist, etnograf, numizmat e arkeolog shqiptar.
Njihet si babai i filatelisë shqiptare, personalitet me interesa të gjëra kulturore. Veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Në Arkivit Qendror Shtetëror tërësia e letrave të ardhura në adresë të tij arrin më tepër se 1200, mes tyre edhe me Norbert Joklin, Holger Pedersenin por edhe të rinj që e shihnin me admirim si Qemal Stafa
U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë, ku nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet). Pas kthimit në vendlindje, iu kushtua historisë dhe të kulturës shqiptare. I përndjekur nga organet osmane të drejtësisë, në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia. Idetë e tij politike morën formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e Perandorisë Osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar ishte një shtet laik. Pikat e tjera të programit tregojnë se për organizimin e brendshëm, me zgjedhje, përfaqësues dhe administratë, programi ishte mbështetur gjerësisht në traditën e popullit shqiptar.[1] Në shërbim të çështjes shqiptare, arsimit dhe kulturës kombëtare Lef Nosi, ndërmerr një udhëtim në SHBA, Filadelfia, në maj 1908.[3] Më 1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit “Vllaznia” në Elbasan.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit si mbështetës i alfabeteve shkodrane të Mjedës dhe Fishtës. Si kryetar i shoqërisë “Afërdita” në Elbasan (1909), kërkoi që Kongresi i Manastirit të mbahej në Elbasan, arsye pse u mbajt më pas edhe Kongresi Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909). Vajti gjithsesi në kongres, por pa të drejtë vote.[5] “Afërdita” krijoi edhe bandën muzikore të Elbasanit me emrin e shoqërisë në fjalë. Një vit më vonë, botoi gazetën “Tomorri” ku e përkrahën Xhuvanin, Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Dakon (25 III 1910). Kontribuoi në hapjen e Normales (1 dhjetor 1909), kohër kur jepte mësim të shqipes në shkollën të mbrëmjes. Gazeta “Liria” e Selanikut, ku ai ishte korrespondent që nga viti 1908, shkroi: “U hap një mësonjëtore nate dhe mësimi po ecën rregullisht. Mësimet e natës janë këto: mësim gjuhe, histori dhe shkronjë, letërkëmbim, e cila mësohet nga ana e z. Lef Nosi, Fot Papajani dhe Josif Haxhimima”. Pikërisht në këtë kohë u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi francez “Koha” dhe “Turqia”: “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike”, “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme”[6] bëhen shkak që Xhonturqit ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital.[5] Drejtori i Shkollës Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan nga ekspedita ndëshkimore e Shefqet Turgut pashës që kishte vepruar në gjithë Gegninë. Katër ditë më vonë u dënua nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910.
Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij, prej ku u lirua pas 9 muajsh dhe u kthye në vendlindje mesditën e 9 prillit 1911.[1] Vijoi punën me gazetën Tomorri dhe mblodhi, gjurmoi dokumente historike, antika, koleksione të rralla, filateli, materiale folklorike, botime me vlera albanologjike dhe ballkanologjike. Në mënyrë të veçantë mblodhi një material të pasur folklorik, si Cikli i Kreshnikëve, këngët legjendare, baladat etj.[3] Shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe klube të tjera brenda trojeve amtare. Në vijim punoi dhe hartoi “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit.
Më 28 nëntor 1912, Nosi ishte ndër delegatët e Elbasanit në Vlorë, së bashku me Mit’hat bej Frashërin, Shefqet Dajiun dhe Qemal Karaosmanin. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me një pjesë të delegacionit të Kosovës, iu bashkuan delegacionit e prijësit të historisë, Ismail bej Vlorës, te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit. Në 28 nëntor, Nosi dhe Dajiu shkëmbyen disa telegrame me Elbasanin, duke i nxitur që dhe ata, ashtu si Durrësi, të ngrinin flamurin. “Ngrini-e sa ma shpejt. Mbë nj’anë i dërgoni ushtëriës serbe komision të posaçëm e më tjetërt anë flamurin nuk e ngrini. Si bahet kjo punë?!”, – pyeste telegrami i Lef Nosit. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Në 4 dhjetor, me votimin me dytë, ku mori 37 vota, Nosi u zgjodh anëtar i qeverisë si Ministër i Post-Telegrafit. Sipas baroneshës Von Godin, e pranishme gjatë ngjarjeve, Nosi “dallohej për një atdhetarizëm të padyshimtë”.[7] Sipas arkivave të mbajtura nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ishte një nga nismëtarët themeltarë për vendosjen e një sherbimi informativ (rrjet spiunazhi) ku me «urdhnin e ditës të 4 shëndre 328/912, pika 6 thuhet: “Të organizohet nji Shërbim i Msheftë për viset e shkeluna të Shqipnis.” […] ene Lef Nosi për m’u marr vesh me Dibrën».
Me pushtimin italian, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon. U kthye n’atdhe me 1942, ku u takua me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj. për të nisur lëvizjen e Ballit Kombëtar, me bashkëdrejtuesit e të cilit do kishte edhe mosmarrëveshje. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia e e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. Erdhi të banonte në Tiranë, në hotel “Dajti”. Mbasi një mik i tij, Hafiz Musa Basha e ka pyet se ç’e shtyu në atë moshë me u marrë me politikë, thuhet të ketë thënë mes miqsh “Merrem me politikë se çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile”. Për këto pjesëmarrje Balli Kombëtar e përjashtoi nga organizata, tok më Ismail Sefën.
Në vitin 1943 u bë kryetar i Asamblesë Kombëtare, tetorin e po atij viti, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarësia që i morën fashistët. “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”, deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjanës. Ndihmon në shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve. Institucioni Yad Vashem i ka njohur më 1992 këto anëtarë të familjes Nosi si Fisnikë të Kombeve.[17] Mbasi u tërhoqën gjermanët e komunistët avanconin shkoi të fshihej me Harapin ndër malet e veriut, i veshur si frat. Në tetorin e ’44 ndodhej në Kuvendin Françeskan. Duke mos mundur të jetonte ndër malet e Pultit e çuan me jetue në fshatin Kir, ku u zbulua shpejt që nuk ishte frat. Sipas rrëfimit të nipit të tij, Lef Nosi, gjatë kohës që ishte në arrati, mbante në dorë një bllok ku kishte të shkruar të gjithë biografinë e tij. E përcollën për në Tiranë,[18] gazeta “Bashkimi” njoftoi se më 1 fruer 1946 hapet gjyqi kundër regjentëve dhe kryeministrit, duke përmendur P. Harapin, Nosin dhe Bushatin. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarakë. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues kryesohej nga major Irakli Bozgo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska. Mikja e tij skoceze i shkruan një letër Enver Hoxhës”:
“Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.
Me nderime të nalta, shkëlqés
Margaret Hasluck”
Pavarësisht presioneve e përuljeve që i bëheshin nga trupi gjykues “gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj. shpjegon dhe dallimin mes gjeneralit francez që u dënua si kolaboracionist dhe anëtarëve të regjencës.” ai u shpjegoi se ka qenë i internuar shtatë muaj në Romë nga Italia fashiste; se ka qenë i njohur dhe madje mik me Mit’hat Frashërin për shkak të prirjeve në fushën e letrave; se u bashkua me Ballin Kombëtar, mbasi ajo organizatë iu afrua më herët se lëvizja komuniste në Shqipëri dhe se për krimet e bëra kur ai ka qenë regjent, faji nuk është as i Nosit e as i Regjencës, por i Qeverisë dhe posaçërisht i Xhafer Devës. Justifikimin e fundit e ka përdorur gjerësisht në përgjigjet e pyetjeve për kohën që ka qenë në Këshillin e Regjencës, duke shtuar: “ne i hiqnim vërejtje qeverisë”. “Pëteni në Francë kishte bamun aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftue aleatët”, – tha Lef Nosi në Gjyq. Në gjyq u mbrojt nga avokati Zoi Xoxe, i cili paraqiti mbrojtjen më 12 shkurt 1946, duke u përballur me akuzën që dha pretencën “dënim me vdekje, pushkatim”, më 20 shkurt. Edhe mbrojtja nuk pati fuqi ta shpëtonte nga ndëshkimi i parashkruar e i paravendosur, vendim që u shpall më 13 fruer 1946, për ekzekutim me pushkatim. Me aprovimin e akt-gjykimit nr. 24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te “Kodra e Priftit” (ose te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane sipas një versioni tjetër) me Bushatin e P. Harapin.