Oksidentalizimi i shoqërisë shqiptare – nga Dr. Hasan Bello
Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe ndërtimi i institucioneve kombëtare në vitet 20-30 u shoqërua me oksidentalizimin e shoqërisë shqiptare. Ky ishte një proces i cili në fakt te shtresa e lartë (burokratët dhe familjet e mëdha) kishte filluar duke nisur që nga fundi i shek.XIX.
Pas 28 nëntorit 1912 ai u vu re edhe te borgjezia tregtare e qyteteve të mëdha shqiptare. Mënyra sesi visheshin, komunikonin, sendet shtëpiake dhe prania gjithnjë e më shumë e pianove në këto familje ishte një tregues i kalimit nga “alla turka” në “alla franga”.
Një rol të madh në këtë drejtim luajti shkollimi i këtyre shtresave në licetë dhe shkollat evropiane brenda dhe jasht Perandorisë Osmane”. Lingua franca ishte shpesh herë jo vetëm gjuha e telegrafit, por edhe e korrespondencës apo e bisedave ndërmjet tyre. Ajo po zëvendësonte gradualisht turqishten dhe greqishten, të cilat kishin dominuar në këto shtresa.
Pjesa më e dukshme e procesit të oksidentalizimit ishte veshja e burrit dhe e gruas shqiptare. Këtu bëhet fjalë kryesisht për tregtarët, burokratët dhe pinjollët e familjeve të njohura. Kjo konstatohet nga koleksionet personale dhe ato të fotografëve të njohur vendas dhe të huaj.
Ajo që duhet theksuar është se: e para, oksidentalizimi ishte një proces që preku të gjitha vendet që ishin pjesë dhe dolën si entitet më vete nga Perandoria Osmane; e dyta, ai nuk u zhvillua në mënyrë të njëtrajtshme në çdo shoqëri; e treta, krahasuar me Republikën Turke dhe reformat sekulariste, elita politike shqiptare nuk ndoqi politika drastike.
Por e la që ky proces të zhvillohej në mënyrë të natyrshme. Sigurisht, që reformat ataturkiste u morën si një model eksperimental dhe u reflektuan pjesërisht edhe në shtetin shqiptar. Por pa dhunë ligjore dhe me kujdes që të mos ngjallnin reaksionin e shoqërisë, e cila në pjesën e saj dërrmuese jetonte në zonat rurale. Shkurt, oksidentalizimi nuk u shoqërua me teza biologjike për të përzier rracën shqiptare me atë europiane, siç ndodhi në ndonjë vend tjetër.
Në fotot e mëposhtme të cilat mesa di i përkasin fotografit të njohur, tironcit Ymer Bali është familja Beshiri dhe ajo mbretërore, që nuk ndryshojnë shumë nga ato në një shtet tjetër të Europës.
