Nga: Tim Robey, kritik filmi / The Daily Telegraph (titulli origjinal: How Mickey Rourke went from hottest man in Hollywood to Celebrity Big Brother)
Përkthimi: Telegrafi.com
Mickey Rourke mezi mbijetoi në vitet ’80 [të shekullit XX], përpara se të braktiste karrierën e tij të aktorit për të lejuar që fytyra e tij – burimi i të ardhurave – të goditej pa mëshirë qëkur vendosi të merrej me boksin profesionist. Vetëshkatërrimi ka qenë gjithmonë mënyra e tij e jetesës. Është e pashmangshme, por gjithsesi shqetësuese që ky 72-vjeçar tani është regjistruar në hotelin e të harruarve, ndryshe i njohur [në Britani] si shtëpia Celebrity Big Brother [Big Brother VIP – shtëpia e Vëllait të Madh me njerëz të famshëm].
Me kalimin e viteve, të ftuarit britanikë që durojnë gjithçka kanë dëshmuar se kanë një shans të mirë për ta përballuar këtë cirk televiziv, pa pësuar shumë dëme – madje ndonjëherë të marrin edhe ndonjë shtysë për karrierën. Por, “prurjet” amerikane të emisionit janë ekuivalente të cirkut shëtitës me njerëz të frikshëm. Janë organizime që dëshmojnë dështimin dhe famën e rrënuar, me fytyra që nuk janë krejtësisht të tyret. Parakalojnë si relike, si atraksione tmerri. Janë ushqim për tabloidet që bëjnë me gisht dhe gjykojnë pa mëshirë se si të fuqishmit (ose më saktë, të fuqishmit dhe Tara Reid) kanë rënë kaq poshtë.
Shikuesit më të moshuar ndoshta nuk e njohin më Rourkein nga ditët e tij si një protagonist i çrregullt – por, në mënyrë të çuditshme engjëllor dhe me role kryesore – 40 vjet më parë. Më të rinjtë ndoshta as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të. Kush është ky dështak?

Pavarësisht rikthimit të vlerësuar dhe të ndjeshëm në filmin e Darren Aronofskyt, The Wrestler (2008), që ishte i nominuar për Oskar – do ta kishte fituar çmimin Aktori më i Mirë po të mos shkëlqente Sean Penni në filmin Milk – Rourke e shpërdoroi atë mundësi që Akti i Tretë i tij të bëhej interesant. Në vend të kësaj, ai merrte para të gatshme për aktivitete ditore në filmat ku mund të futej (Iron Man 2, The Expendables) dhe ku ishte produkt për një përdorim, ndërsa tani merret më shumë me postimet e çastit në Instagram, ku shfaq qentë e tij (të cilët i vlerëson si fëmijë të tij), legjendat e bodibildingut dhe të famshmit e vdekur që ai adhuron.
Gjithçka duhej të ishte ndryshe. Për plot një dekadë, Rourke premtoi shumë si aktor, duke filluar me rolet nga të cilat nuk mund t’ia hiqje sytë, si në Body Heat (1981) të Lawrence Kasdanit, Diner (1982) të Barry Levinsonit dhe Rumble Fish (1983) të Coppolas. Rrezatonte sensualitet të përmbajtur. Stili i tij i mërmëritës, më shumë i rastësishëm sesa një Metodë [shkollë aktrimi] e përllogaritur, nuk e nxiste kurrë të bëhej një James Dean ose një De Niro i ardhshëm. (Në fakt, ai e përbuz De Niron dhe për këtë do flasim më vonë.) Shpejt fitoi një reputacion si njeriu më i lezetshëm përreth – prania e tij ishte aq e fuqishme saqë dukej se zgjatej deri në Rrugën Burbon.
Ishte kjo periudha kur aktorët rrezikonin nga etiketa e simbolit të seksit – një rrezik si drama erotike e Adrian Lyneit, 9½ Weeks (1986), të cilën MGM-i vendosi të mos e shfaqte të plotë në Amerikë, ngaqë ishte tepër provokues. Megjithëse kritikët nuk ishin të impresionuar dhe të hyrat nga biletat nuk ishin të mira, si Rourke ashtu edhe Kim Basinger u bënë yje edhe më të mëdhenj.

Trilerët e krimit në stilin neo-noir u bënë fusha e veçantë e Rourkeit, përfshirë dy filma me regji nga Michael Cimino (Year of the Dragon dhe Desperate Hours) dhe një nga Alan Parker – favoriti i adhuruesve, filmi Angel Heart të cilin, më duhet ta pranoj, gjithmonë e kam parë si një film monoton dhe pa tension. Megjithatë, Rourke mbetet gjëja më e mirë e atij filmi – i zgjedhur në mënyrë të duhur si një detektiv i dëshpëruar privat në Nju-Orlins, i cili endet nëpër qytet me kostume të vjetra e të lëna pas dore si rrjetat e merimangës.
Ekziston një univers paralel – nëse do të ishte bërë i famshëm pak më herët – në të cilin ai, me atë magnetizmin e tij të shkujdesur, do të kishte qenë një Rik Dekard i jashtëzakonshëm në filmin Blade Runner. Në fakt, adhurimi i tij i vërtetë ishte për mikun e tij Rutger Hauer në atë film, për të cilin thoshte se “e bëri Harrison Fordin të zhdukej nga skena”. (Mickey dhe Rutger, pasi kishin luajtur bashkë në filmin e dështuar të Nicolas Roegut, Eureka, më 1983, do të takoheshin sërish dekada më vonë për një skenë të shkurtër, në filmin Sin City të vitit 2005 – ndonëse rolet i kishin xhiruar me tetë muaj diferencë, gjë që dallohet.)

Në mënyrë të kuptueshme, qëndrimi i Rourkeit ndaj aktrimit e çoi drejt një karriere haureske – gjithnjë e më shumë i zhytur në filmat të cilët askush nuk i shihte, ndërkohë që endej nëpër Holivud me një Rolls Royce të bardhë dhe me një shpurë kubanësh me zinxhirë të dukatit. Thuhet se ai i refuzoi rolet në filmat si Platoon dhe The Silence of the Lambs, si edhe rolin kryesor në The Untouchables; hodhi poshtë rolin e Travoltas në Pulp Fiction; dhe, kur Dustin Hoffman i ofroi rolin e Tom Cruiseit në Rain Man, thjesht harroi t’ia kthente telefonatën. Në vend të këtyre [filmave të mëdhenj], rolet e tij më pak të njohura të viteve ’80 [të shekullit XX] janë paralajmërime të çuditshme që bëjnë me dije se karriera e tij ishte e destinuar të rrëshqiste drejt periferisë, duke parë lart (dhe duke ia kthyer shpinën) një yll që kishte ekzistuar dikur.
Në filmin e lavdëruar nga kritika, Barfly (1987), të Barbet Schroederit, ai interpretoi Charles Bukowskin – një tjetër alkoolist, një tjetër njeri në luftën për mbijetesë. Në Homeboy (1989), një film me pak shikues, ai luajti një boksier të rrënuar dhe me dëmtime në tru. Dhe, në Johnny Handsome (1989) të Walter Hillit, ai portretizoi një kriminel të shëmtuar fizikisht – të cilin bashkëpunëtorët e quanin me përçmim “i bukuri” – që i nënshtrohet një operacioni eksperimental për përmirësim pamjeje, në mënyrë që të mos njihej kur do të dilte nga burgu.

Në filmin romantik me tone erotike, Wild Orchid (1989), ai tashmë dukej sikur e kishte lënë veten pas dore – faqet e fryra dëshmonin ndryshimin – dhe pikërisht ky ishte momenti kur kalimi i papritur në boks, një nga dashuritë e tij të para, u duk si një ide e mirë. Karriera e tij në aktrim u shemb në mënyrë spektakolare deri në vitin 1991. “Nisa të mos e doja më këtë industri, dhe as vetveten”, ka thënë ai. “Po vetëshkatërrohesha, por me një ritëm mjaft të shpejtë. Nuk ndihesha sikur i përkisja botës së aktrimit. Kisha një ndjenjë faji për faktin se isha i suksesshëm në të”.
Dhe, pastaj ai iu nënshtrua operacioneve plastike. “Zgjodha kirurgun e gabuar për të rregulluar fytyrën time”, u ankua Rourke – gjatë turneut promocional të filmit The Wrestler – për pamjen e tij të ndryshuar në mënyrë drastike. Shumica e ndërhyrjeve, shpjegoi ai, ishin “për të korrigjuar dëmet e shkaktuara nga boksi”, por rezultati ishte ky: fytyra e tij, dikur ashiqare e hijshme, u shndërrua në një palimpsest dhimbjesh, goditjesh dhe zgjedhjesh të gabuara. Historia e Mickey Rourkeit – dhe gjithçka që i ka bërë vetes – është e shkruar në atë fytyrë.

“Humba gjithçka”, i tha ai Guardian-it gjatë atij turneu. “Gruan, shtëpinë, miqtë, emrin tim në industri. Po paguaja 500 dollarë në muaj për një apartament ku jetoja me qentë e mi. Askush nuk e dinte sa i varfër isha. Një mik më jepte disa qindra dollarë në muaj që të kisha ç’të haja. Dhe, unë i telefonoja ish-gruas sime, qaja si fëmijë dhe përpiqesha ta ktheja. Isha i dëshpëruar. Dhe, isha krejt vetëm. Kjo zgjati për vite me radhë, për vite të tëra”.
Ai ka folur shpesh për fëmijërinë e tij të tmerrshme në një lagje të ashpër të Majamit. Babai i tij, Philip, u largua nga familja kur ai ishte vetëm shtatë vjeç, duke e lënë të përballej me dhunë të supozuar fizike nga njerku i tij, një polic me emrin Eugene Addis – për të cilin nuk do ta falte kurrë nënën e vet. (Ata do të pajtoheshin, deri-diku, kur ajo u diagnostikua me Alzheimer.)
Vëllai i tij i vogël, Joey, rrihej nga të gjithë në lagje dhe u diagnostikua me kancer në moshën 17-vjeçare (ai vdiq më vonë nga kjo sëmundje, në vitin 2004). Ndjenja e përhershme e turpit që ndjente Rourke, dhe prirja për vetësabotim që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, kanë padyshim lidhje të thellë me këtë periudhë të trazuar formimi.
Martesa e tij me modelen amerikane Carré Otis (partnerja e tij në Wild Orchid) zgjati përtej arrestimit të tij për dhunë në familje në vitin 1994 (akuza që më vonë u hodhën poshtë). Por, që nga divorci i tyre në vitin 1998, familja e vërtetë e Rourkeit ka qenë qeni. Ai ka adoptuar më shumë se një duzinë qensh, shumicën endacakë apo të shpëtuar nga strehimoret – zakonisht çihuaua. Nuk i asgjëson kurrë; gjithmonë i lejon që të plaken dhe të ngordhin nga shkaqet natyrore. Në momentet më të errëta të jetës, ai ka pranuar se përkujdesja ndaj tyre ka qenë ndonjëherë e vetmja gjë që e ka penguar të bëjë vetëvrasje. (Njëri prej tyre, një mik besnik i quajtur Loki, ishte shoqëruesi i tij i pandarë gjatë turneut promovues të filmit The Wrestler, por ngordhi vitin pasues.)

Armiqësitë e Rourkeit me figura të rëndësishme të Holivudit – kryesisht aktorë – janë mjaft famëkeqe. Në xhirimet e filmit Angel Heart, sjellja e tij si person i rëndësishëm dhe etika e ulët e punës e irrituan Robert De Niron, dhe që nga ajo kohë ata dy nuk janë më në listat e urimeve me kartolina për Krishtlindje. Në rrjetet sociale, Rourke e akuzoi De Niron në vitin 2019 se e kishte penguar të merrte një rol të rëndësishëm në filmin The Irishman të Martin Scorseses. Më vonë ai shpërtheu me fyerje të njëpasnjëshme, duke e quajtur De Niron “gënjeshtar”, “fëmijë që qan për gjithçka” dhe “bajat” – në thelb, duke e trajtuar fituesin e dy çmimeve Okcar me të njëjtat fyerje nga manuali që vetë De Niro përdor ndaj Donald Trumpit.
Rourke ishte pranë një roli për filmin e Jane Campionit, In the Cut (2003) – ku, në të vërtetë, do të përshtatej në mënyrë perfekte me atmosferën e zymtë të filmit. Sipas Rourkeit, Nicole Kidman (“si një copë akulli”) refuzoi të punonte me të, dhe gjithçka u mbyll aty. Një rol i vogël në Man on Fire (2004) të Tony Scottit përfshinte një skenë të madhe me Denzel Washingtonin, skenë që në mënyrë të habitshme u hoq nga filmi. (“Unë nuk e hoqa skenën. As Tony Scott”, ka thënë Rourke për New York Times Magazine.)

Edhe pas filmit The Wrestler, kur dyert e Holivudit iu hapën sërish, Rourke zgjodhi rrugën më të vështirë, duke mos lejuar që rikthimi i tij i lavdishëm të bënte magjinë. Ai nuk e kishte as idenë se çfarë ishte Iron Man 2, kur iu ofrua roli, por u paraqit në filmin e Jon Favreaut me kërkesat të cilat askush nuk i kuptonte, për të luajtur rolin e keqbërësit Uiplesh në universin e Marvel-it. Këmbënguli të mbante flokët e lidhur në stil samuraji; të fliste me një theks rus; dhe të kishte gjithmonë mbi supe një kakadu të bardhë të quajtur Soni. (Natyrisht, më vonë e adoptoi zogun.)
Kërkesat e tij për pagesë nuk u plotësuan, dhe për këtë arsye Robert Downey Jr. u detyrua të paguante nga xhepi i vet për të shtuar mbi shumën prej 250 mijë dollarëve të cilën Marvel-i ishte i gatshëm t’i jepte Rourkeit. Gjithsesi, pjesa më e madhe e interpretimit të tij u hoq në dhomën e montazhit, dhe brenda pak vitesh Rourke nisi të sulmonte Marvel-in duke i cilësuar realizimet e kompanisë si “filma pa tru nga stripat” dhe duke thënë se Favreau “nuk kishte as guxim”. Nuk është aspak çudi që kthimi i tij në Aktin e Tretë përfundoi në mënyrë të zbehtë dhe pa lavdi.
A paralajmëron Celebrity Big Brother një lloj Akti të Katërt? Ndoshta Rourke do të hapet me bashkëbanorët dhe do të na ofrojë këndvështrime të reja dhe prekëse mbi gjendjen e tij aktuale mendore. Ideja se mund të ndajë më shumë detaje nga jeta private me [ish-politikanin konservator] Michael Fabricantin, se do të shpërthejë në lot ndërsa [ish-atleti] Daley Thompson ia vendos dorën mbi supe, ose se t’i kërkojë disa mësime në kitarë [këngëtarit] nga Chesney Hawkes … këto mund të jenë arsye të mira për ta parë.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë dyshim se Rourke po e bën këtë thjesht për një pagesë gjashtëshifrore. Për çfarë tjetër do të lodhej? Lehtësisht mund të japë minimumin e mundshëm dhe do të largohet – gjë që do të mërziste tej mase producentët dhe kjo është ajo që njerëzit duan të shohin. Nëse kapet me një pamje të trishtuar teksa pret të mbarojë koha, mund të jetë në një vuajtje të thellë ekzistenciale – ose thjesht mund të ndiejë mungesën e përqafimeve nga qentë e tij të dashur dhe të moshuar. /Telegrafi/